Anuela Ristani shkarkon dy besnikë të Veliajt – Thellohet përplasja në Bashkinë e Tiranës
E premte, 21 mars 2025
Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka firmosur sot dy shkarkime të rëndësishme në administratën bashkiake, duke larguar nga detyra dy figura të njohura të afërta me ish-kryebashkiakun Erion Veliaj.
Me një urdhër të protokolluar mëngjesin e së premtes, Sara Goxhaj, që mbante postin e nënkryetares së Bashkisë, dhe Alban Dokushi, Sekretar i Përgjithshëm i institucionit, janë larguar nga detyra. Të dy njiheshin si ndër më të besuarit e Veliajt dhe bashkëpunëtorë të afërt në vendimmarrjet e mandatit të tij.
Në vend të Alban Dokushit, është komanduar Jonida Halili, e cila deri më tani kishte funksionuar si nënkryetare e Bashkisë. Halili do të mbajë tashmë përkohësisht detyrën e Sekretares së Përgjithshme.
Ky zhvillim vjen në një kohë të tensionuar politike dhe institucionale në Bashkinë e Tiranës, pas arrestimit të Erion Veliajt më 10 shkurt, për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Veliaj ndodhet nën hetim së bashku me bashkëshorten dhe disa biznesmenë të njohur.
Lëvizjet e Ristanit priten të shkaktojnë diskutime të forta, pasi vijnë vetëm disa ditë pas përplasjes së ashpër mes kryeministrit Edi Rama dhe Veliajt. Kujtojmë se më 18 mars, Veliaj nënshkroi një urdhër nga qelia, duke i deleguar kompetencat e drejtimit të Bashkisë Sarës Goxhaj dhe duke shkarkuar vetë Anuela Ristanin.
Kjo lëvizje u konsiderua nga shumë si një sfidë politike ndaj Ramës, i cili ndërhyri menjëherë, duke shfuqizuar urdhrin e Veliajt dhe rikthyer në detyrë Ristanin, të cilën e konsideron përfaqësuese legjitime të shumicës socialiste në drejtimin e përkohshëm të Bashkisë.
Përplasja Rama–Veliaj, e cila ka qenë në zhvillim të heshtur për më shumë se një vit, tashmë është bërë publike dhe po reflektohet direkt në administratën e Tiranës. Shkarkimi i dy njerëzve kyç të Veliajt shihet si një goditje direkte ndaj ndikimit që ish-kryebashkiaku tenton të ruajë nga izolimi, ndërkohë që PS përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Burime të afërta me mazhorancën bëjnë me dije se ndryshimet në Bashki do të vijojnë, ndërsa grupi politik që mbështet Veliajn po tenton të ruajë pozicionet e veta në nivele të ndryshme të administratës, në një lojë force që duket se do të thellohet në ditët në vijim.
Publik.al do të vijojë të ndjekë nga afër zhvillimet politike brenda Bashkisë së Tiranës dhe përplasjen në rritje brenda Partisë Socialiste.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



