E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Të ndërtosh një botë të re duke ndërtuar vetveten!
Lajme

Të ndërtosh një botë të re duke ndërtuar vetveten!

Arian Galdini

“Të gjithë mendojnë të ndryshojnë botën, por askush nuk mendon të ndryshojë veten.”
— Leo Tolstoy

Ka fjalë që përplasen si rrufe në ndërgjegje. Ka mendime që janë si çelësa të braktisur prej kohësh në thellësinë e shpirtit, por që sapo i gjen, të hapin një derë drejt një horizonti tjetër të të menduarit.

Fjala e Tolstoy-t është pikërisht një prej këtyre rrufeve. E thjeshtë si ndërtim, por e frikshme në thellësinë e saj.

Ajo të vë përballë një të vërtete që njerëzimi e ka shmangur sistematikisht: se ndryshimi i botës nuk fillon me projekte, parulla apo revolucione të jashtme, por me një revolucion të brendshëm, të dhimbshëm, të heshtur e të vazhdueshëm në vetvete.

Sepse njohja e vetvetes vjen si akt politik dhe shpirtëror.

Qysh në antikitet, Sokrati thoshte: “Njih vetveten!”, një urdhër që nuk ishte thjesht filozofik, por edhe moral, etik, qytetar.

Sepse, siç shprehej më vonë Plutarku, “ata që nuk arrijnë të vetëqeverisen, nuk mund të qeverisin askënd.”

Të njohësh dhe të ndryshosh veten është më e vështira nga të gjitha luftërat.

Mjeshtri Eckhart shkruante se “njeriu duhet të tërhiqet nga vetja po aq sa nga bota, nëse do të rilindë në të vërtetën.”
Pra, akti më i madh i ndryshimit është tërheqja për reflektim, përballja me vetveten, lufta me egon, me frikërat, me mëkatet dhe iluzionet që kemi ndërtuar rreth identitetit tonë.

Carl Jung na kujtonte se “ai që shikon jashtë, ëndërron; ai që shikon brenda, zgjohet.”

Dhe ky është dallimi themelor mes atyre që përpiqen ta ndryshojnë botën duke u përqëndruar në shkaqet e jashtme dhe atyre që kuptojnë se ndryshimi i jashtëm është vetëm pasqyrim i ndryshimeve të brendshme.

Gandhi është mishërimi historik i kësaj filozofie, kur thoshte:
“Bëhu vetë ndryshimi që do të shohësh në botë.”
Ai nuk filloi nga një revolucion social, por nga një agjërim i ndërgjegjes, një pastrim i shpirtit, një disiplinë vetjake, që më pas u kthye në një forcë transformuese për miliona njerëz.

Shumë prej nesh dëshirojnë një botë të re, më të drejtë, më të bukur, më të ndriçuar. Por shpesh kjo dëshirë është një mënyrë për t’i ikur detyrës më të rëndë: ndryshimit të vetvetes.

Simone Weil, filozofja franceze e dhimbjes dhe dashurisë së pastër, shkruante:
“Njeriu nuk e do Zotin dhe botën; ai do veten, dhe e maskon këtë me ide fisnike.”

Pra, kërkesa për ndryshim shoqëror shpesh maskon mungesën e kurajos për të përballuar errësirën e vetes.

Dëshirojmë të shpëtojmë botën nga padrejtësia, por nuk i japim fund padrejtësive që ushtrojmë në heshtje mbi njerëzit përreth nesh.

Dëshirojmë një shoqëri të ndershme, por shmangim ndershmërinë në monologun e vetes.

Dëshirojmë liri, por jetojmë të robëruar nga mëkati, zakoni dhe egoizmi.

Në kulturën shqiptare, mikpritja është e shenjtë.
Por nëse do ta zbërthenim thellë këtë koncept, miku i parë që duhet mikpritur është e vërteta.

Ashtu siç në Omotenashin japonez, mikpritja është akt i përulësisë dhe vetëflijimit, edhe në ndryshimin e vetvetes, njeriu duhet të bëhet i zoti të presë me përulësi të vërtetën për veten e vet, pa e shmangur, pa e justifikuar, pa e zbukuruar.

Jezusi i Nazaretit, në predikimin mbi mal, tha:
“Hipokrit! Nxirre më parë trarin nga syri yt, dhe atëherë do të shohësh mirë për të nxjerrë qimen nga syri i vëllait tënd.”(Mateu 7:5)

Kjo është një metaforë e fuqishme për drejtësinë që lind vetëm nga vetëkorrigjimi, nga pastrimi i brendshëm.

Kierkegaard e quante njeriun “një sintetizim i pafundësisë dhe kufizimit”, një qenie që është thirrur jo vetëm të ekzistojë, por të transformohet, të bëhet.

Ndaj, përpjekja për të ndryshuar veten nuk është një luks shpirtëror, por kusht për të qenë njeri në kuptimin më të lartë të fjalës.

Sepse vetëm një njeri i ndryshuar, një njeri që e ka parë veten në pasqyrën e së vërtetës dhe nuk është trembur, por ka vepruar, mund të ndryshojë botën me vërtetësi, pa hipokrizi, pa arrogancë dhe pa iluzione.

Ndaj le të jetë kjo fjali e Tolstoy-t jo një akuzë, por një ftesë:
Të mos humbim më kohë në kërkimin e një bote të re jashtë vetes, pa ndërtuar më parë një njeri të ri brenda vetes.

Sepse bota që duam, siç thoshte Augustini, “fillon në zemrën që lutet në heshtje.”

Dhe le të mos harrojmë: Ai që ndërton veten, ndërton themelet e një bote të re që nuk do të shembet dot më aq lehtë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.