“Cirk mbi Cirkun” – Astrit Veliaj, ish-deputeti që i la mustaqet në PD dhe zemrën tek Rama

Naim  Noka

Nëse dikur dilte nëpër ekrane për të denoncuar qeverinë e Ramës, sot ish-deputeti demokrat Astrit Veliaj jo vetëm që e lëpin më shumë se një akullore në gusht, por edhe ngatërron kufirin mes një fjalimi publik dhe një deklarate dashurie me sfond urbanistik. Spektakli i servilizmit të tij në konkursin e masterplanit të ish-Cirkut është i denjë për vetë Cirkun Kombëtar – veçse këtë herë akrobatët janë të veshur me kollare dhe mbajnë plane zhvillimi në duar.

Dje, Tirana u zgjua me një performancë të pazakontë cirku – por jo nga artistët profesionistë, jo! Këtë herë, në skenën e improvizuar të “zhvillimit vizionar”, doli me një piruetë retorike ish-deputeti demokrat, tashmë akrobat politik me orar të plotë, Astrit Veliaj.

Në një konkurs për masterplanin e zonës së ish-Cirkut, ku garojnë 6 studio arkitekture, Veliaj nuk nguroi të marrë mikrofonin e të bëjë një fjalim që do ia kishte zili edhe vetë Ndoka i “fjalimeve të zemrës”. Duke lavdëruar Kryeministrin Edi Rama me epitetet “vizionar”, “transformues” dhe “i pagjumë nga shqetësimi për vepra të mëdha”, Veliaj na bëri të kuptojmë se dashuria e vërtetë mund të lindë edhe në mjedise të betonizuara.

Dikur deputet i Partisë Demokratike, sot ai tingëllon si kopja tallava e Erion Veliajt – thjesht pa karrigen e Bashkisë por me një universitet privat në xhep, që sipas mediave, është më i njohur për numrin e diplomave se për cilësinë e tyre. Dhe si për të kompletuar spektaklin, përmendet gjithashtu se ky njeri që përlotet nga emocionet kur flet për Ramën, ka arritur – me disa “akrobaci” juridike – të përvetësojë truallin ku ndodhej çadra e Cirkut Kombëtar. Një metaforë e bukur, ku ish-deputeti hyn si spektator dhe del si pronar.

Ndërsa fliste me përkushtimin e një fansi të zjarrtë në koncertin e preferuar, Veliaj deklaronte se “Tirana dhe Shqipëria po marrin fizionominë e Edi Ramës”. Me pak fjalë: zgjatje betoni, ngjyrime fasadash, palma pa rrënjë dhe arrogancë me flamur. Dhe meqë ra fjala për fizionomi – a mos po i referohej edhe mustaqeve të veta?

Sepse kjo është historia e radhës në Shqipërinë post-transparencë: një ish-politikan që shet veten për një metër katror më shumë, që i bie rrethit të pronave si kloun me biçikletë njërrotake, dhe që në vend të parimeve, mban mbi supe një universitet që e përdor si strehë politike e përfitimi.

Në këtë vend gjithmonë kllounët e tipit të Astriveliajve,  kujdesen që edhe cirkun ta  kthejnë  në realitet.

Publikuar nga Publik Media