17-vjeçari që u plagos nga atentati, niset për ndihmë mjekësore të specializuar në Itali

Një nga fëmijët e mitur që u plagosur rëndë mbrëmjen e djeshme nga atentati mafioz i ndodhur në kryeqytet do të transportohet për mjekim jashtë shtetit.

Mësohet se 17-vjeçari, M.Demiri do të transportohet në shtetin italian për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar. Ndërkohë vijon të mbetet në gjendje kritike 11 vjeçari i cili do të dërgohet gjithashtu jashtë vendit.

Si ndodhi ngjarja?

Një atentat në Lundër pranë tregut Agro Ushqimor në Tiranë, la katër të rinj të plagosur. Të rinjtë udhëtonin me një mjet tip “Mercedes-Benz G Class” kur u qëlluan me breshëri plumbash nga autorë ende të paidentifikuar.

Në ‘G Class’ udhëtonin katër persona, Arec Stafa 34 vjeç, Kjan Mullai 19 vjeç si dhe dy të miturit, M.Demiri  17 vjeç dhe D. Demir 11 vjeç.

Të katër të plagosurit u dërguan në spitalin e Traumës mbrëmjen e djeshme, por dy të miturit u paraqitën në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra.

Cila është pista kryesore e hetimeve?

Pista kryesore e hetimit të prokurorisë është se atentati ka qenë një ngatërrim shënjestre, pasi autorët dyshohet se ishin nisur për të vrarë Katerina Beqon, bashkëshorten e të ndjerit Roan Brahimi, i ekzekutuar rreth një vit më parë në një atentat në Greqi.

Sipas hetuesve, autorët e pritën kthimin e saj në Tiranë, ndërsa ngatërrimi fatal i automjeteve dyshohet se çoi në plagosjen e katër të rinjve. Beqo jeton në të njëjtin kompleks vilash në zonën e Lundrës ku banonin edhe të rinjtë e plagosur dhe për më tepër, përdoreshin makina të të njëjtit model dhe me targa të ngjashme. Për t’u saktësuar është se targa e makinës së Katerina Beqos ndryshon vetëm me një gërmë me makinën me të cilën udhëtonin të rinjtë natën e kaluar.

Ndërkohë disa orë më parë,  u vra në atentat në Pllanë të Lezhës Gjovalin Prendin, babai i Roan Brahimit. Ky i fundit, i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi, ishte një emër që mbante pas vetes një histori të errët lidhjesh me botën e krimit, hakmarrjes dhe atentateve seriale.

Publikuar nga Publik Media