Rama premton ujë në Sarandë:Do ketë furnizim cilësor gjatë pikut të sezonit turistik

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur takimin përmbyllës elektoral në Sarandë, ku u ka premtuar banorëve dhe turistëve një ndërhyrje të re për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Ai theksoi se ky investim do të garantojë furnizim të pandërprerë dhe me cilësi të lartë, edhe gjatë periudhës së ngarkuar të sezonit turistik, kur kërkesa për ujë është më e madhe.

“Ka shumë gjëra që kanë ndryshuar në Sarandë. Por, Saranda është një qytet që ka një problem ndryshe. Këtu është bërë një investim i rëndësishëm për ujin, mirëpo ajo që ka ndodhur është se ndërkohë që në zonat e tjera uji i pijshëm është shumë më mirë, në Sarandë ka ndodhur që janë bërë më shumë investime, është shtuar numri i konsumatorëve. Nëse për banorët ka një normalitet në furnizim, sapo fillon invazioni i turistëve fillon edhe rënia e furnizimit.

Kjo do të thotë se nuk e nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveçse të riinvestohemi për të bërë një investim specifik dhe madhor për këtë zonë, sepse në ndërkohë po shohim projekt të reja nga investitorë dhe arkitektë që do ta rrisin shumë cilësinë e turizmit në Sarandë dhe paralajmërojmë për prurje më të mëdha të turistëve dhe vizitorëve. Kjo do të thotë më shumë ekonomi dhe të ardhura, por edhe një përgjegjësi e madhe sepse do të ketë akoma më tepër nevojë për ujë të pijshëm dhe një furnizim cilësor në të gjitha orët”, deklaroi Rama.

Publikuar nga Publik Media