Mbreti i fushatës

EDISON YPI

Mbreti i fushatës, Agron Shehaj, është njeriu i duhur, në kohën e duhur, për të bërë punën e duhur, në mënyrën e duhur, në arenën e turbullt, por jo të pashpresë, të politikës dhe pushtetit në Shqipëri. Të tjerët, janë edhe ata njerëzit e duhur, por për të bërë punët e gabuara. Ata flasin serbisht, greqisht, rusisht, kubanezçe, kinezçe, koreançe, gjuhën e skiles, gjuhën e gjarprit, gjuhën e Dreqit dhe të birit, që ua ka mësuar babi gazetar te Zëri i Pordhës dhe mami shefe kuadri te Shkolla e Qenve.

Mbreti i fushatës Agron Shehaj flet vetëm Shqip.

Mbreti i fushatës Agron Shehaj, ky shqiptar me emër mbreti dhe mbiemër shenjtori, është ai që në këtë fushatë flet më mirë e më bukur se gjithkush tjetër. Mbreti i fushatës, Agron Shehaj nuk bërtet, nuk ulurin, nuk shan, nuk shpif, thjesht thotë çfarë ka ndërmend të bëjë dhe si do e bëjë.

Të tjerët, me emra për ibret, prej kur i polli Lenini nga kërthiza, i mbajti hopa në prehër Stalini, i edukoi dhe i frymëzoi me teori dhe praktikë revolucionare Mao Ce Duni para një tasi orizi, nuk flasin, vetëm shajnë, vetëm shpifin, vetëm çirren e ulërasin, mallkojnë, ulërijnë, lehin, bërtasin, pëllasin, si në kafene, në rrugë, në pyll, në Kopshtin Zoologjik, në mbledhjen e kolektivit të kohës së qoftëlargut.

Mbreti i fushatës, Agron Shehaj, e ka të qartë dhe e shpall, se pushtetin nuk e do për t’u bërë çifligar apo sundimtar i Shqipërisë, por thjesht dhe vetëm administrator korrekt, nëpunës shembullor, shërbëtor i përunjur i popullit, se në politikë dhe pushtet nuk mund të jesh i përjetshëm, por vetëm i përkohshëm, vetëm provizor, sot po, nesër jo. Si i tillë, pa ia thënë, vetëm me të ndjerë se dikush ose disa kanë ndaj tij ndonjë ankesë a pakënaqësi sado të papërfillshme, Mbreti i fushatës, Agron Shehaj, hiqet mënjanë, dorëzon kurorën, skeptrin, merret me punët e veta.

Ata jo. Ata, me të ardhur në pushtet, e shpallin veten Zeus, Shenjtor, Perëndi. Atyre, nëse u ndodh që dikush ose disa, për arsye nga më të ndryshmet, ankohen hapur ose fshehtas, ngulen edhe më thellë në kolltuk, prej ku s’ka vinç që i shkul deri në grahmën e fundit, deri në vdekje, deri në varr me kolltuk pas bythe.

Mbreti i fushatës, Agron Shehaj, kurrë nuk turbullohet, kurrë nuk habitet, kurrë nuk kompleksohet, nga asnjë situatë sado e vështirë, por i sheh të gjithë në sy.

Ata kurrë nuk janë të sigurt, kurrë nuk janë të sinqertë, kurrë nuk guxojnë ta shohin tjetrin në sy, gjithmonë sytë përdhe.

Ata llafosen për kohë të kaluara dhe të ardhme, si në përralla.

Mbreti i fushatës, Agron Shehaj, s’merret me përralla, flet për të tashmen, për atë që duket, për atë që preket, për këtu dhe tani!

Mbreti sa i urtë dhe i palëkundur i fushatës, Agron Shehaj, nuk niset pa u siguruar ku dhe kur do arrijë.

Ata, aventurierët që pushtetin dhe politikën i duan vetëm për të vjedhur, e dinë fort mirë, në cilën pllajë do e vrasin, në cilën greminë do e braktisin, në cilën humnerë do e hedhin Shqipërinë e vdekur, pasi e kanë vjedhur.

Mbreti i fushatës, Agron Shehaj, premton solemnisht dhe qartëson imtësisht cila është Mundësia përmes së cilës shqiptarëve u mundësohet të zgjidhin hallet.

Shakaxhinjtë e politikës dhe pushtetit u premtojnë shqiptarëve rrena, broçkulla, donkishotizma.

Me mbretin e fushatës, Agron Shehaj, mund të pihet një kafe, një raki, të bëhet një muhabet, të qahet një hall, mund të hahet një pjatë fasule e të pihet një gotë dhallë.

Me ata s’bëhet fjalë për të tilla thjeshtësira. Të votosh ata, t’u besosh atyre, të shpresosh tek ata, është njësoj turp e tmerr si të kesh shok e mik një kope me robotë.

Prandaj llafazanët e pashpirt do humbin, ndërsa mbreti i fushatës, njeriu Agron Shehaj, do fitojë.

Publikuar nga Publik Media