Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka reaguar pasi u procedua nga policia për incidentin e ndodhur sot në një qendër votimi në Vorë.
Noka akuzon policinë për veprime të padrejta ndaj tij, teksa thotë se ai u përball me Xhoni Asllanajn, i cili është nipi i Albert Xhabaftit, persona të cilët ai i akuzon se po ushtronin ndikim ndaj votuesve në Vorë.
Reagimi i plotë i Flamur Nokës:
Sot jam proceduar penalisht me akuzën e veprës penale “Kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Ftoj të gjithë qytetarët të shikojnë në faqen time videolajmin e arrestimit nga policia të shtetasit Xhoni Asllanaj, me të cilin sot u përballa në qendrën e votimit në Vorë!
Xhoni Asllanaj është nipi dhe shoferi i Albert Xhabaftit të Vorës dhe është i skeduar për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje.
Në videolajmin e Report TV-së vite më parë përmendet se Asllanaj u ndalua së bashku me dy persona të tjerë, ku një prej tyre me inicialet A.K, 44 vjeç. A.K është Albert Xhabafti dora vetë.
Kjo fuoristradë që shihni në foton e bashkëlidhur ndodhet sot në oborrin e tij. Policia e ushtarit të krimit Proda, e nënshtruar nën urdhërat e Albert Xhabaftit, procedon penalisht Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demeokratike, Flamur Nokën, pse ky i fundit kërkoi që Albert Xhabafti dhe nipi e shoferi i tij të largoheshin nga qendra e votimit.
Të nderuar qytetarë! Ju ftoj të mos bini pre e keqinformimit dhe propagandës së mediave që paguhen nga kompania e inceneratorëve! Policia e Shtetit e komanduar nga banditi Proda, ndonëse e njeh mirë skedën e Xhoni Asllanajt, e cilëson si “qytetari që u pengua” në qendrën e votimit, sepse ashtu i leverdis partisë që po humbet pushtetin.
Fitorja mbi pushtetet e kapura dhe të kalbura do të jetë e qytetarëve të vërtetë!