Ora 19:00 shënon përfundimin e orarit zyrtar të votimit në të gjithë qendrat e votimit në vend.
Edhe këtë herë, zgjedhjet u shoqëruan me tensione. Në disa qendra votimi, opozita denoncoi për intimidim të votuesve nga eksponentë të mazhorancës. U denoncua gjithashtu prani e “patronazhistëve” të PS pranë qendrave të votimit me lista në duar – raste të shoqëruara edhe me video. Edhe këtë herë, votimi familjar ishte sërish problem në disa qendra votimi, ashtu si mosinformimi i disa qytetarëve për qendrën e saktë të votimit.
Denoncimet e opozitës se bandat janë përdorur nga mazhorcna si makineri elektorale edhe në këto zgjedhje nuk munguan. Rasti më përfaqësues ishte ndoshta edhe Vora, ku pati përplasje verbale mes Sekretarit të PD-së Flamur Noka me disa persona, që ai i quajti “banda e Xhabaftëve”.
Pas procesit të votimit, kutitë e votimit transportohen në KZAZ, ku bëhet dhe numërimi. Proces ky që pritet të nisë orët në vijim.
Pjesëmarrja
Sipas të dhënave të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime në rang vendi deri orën 16:00 ka qenë 40.89%. Raportimi për pjesëmarrjen është bërë vetëm nga 3899 prej 5225 qendrave të votimit në total.
Të dhënat paraprake tregojnë se kanë votuar 1.025.997 nga 2.620.347 zgjedhës në listën e QV-ve të raportuara. Ndërkohë në zgjedhjet parlamentare 25 Prill 2021 deri në orën 16:00, përqindja e votuesve ka qenë 43.89%.
Sot më 11 maj 2025 qytetarët shqiptarë iu drejtuan kutive të votimit për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre në parlamentin e ri. Janë 3.7 milionë shqiptarë me të drejtë vote, të cilët do të zgjedhin 140 të zgjedhurit e parlamentit. Procesi i votimit nisi në orën 07:00.
Në këto zgjedhje parlamentare diaspora risi është vota e diasporës, teksa ishin regjistruar 245.935 emigrantë shqiptarë. Në garë për të siguruar shumicën e 140 ulëseve në Kuvendin e ri, janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve janë vendosur në lista të hapura dhe të mbyllura.