Sali Berisha ka nisur kontestimet për rezultatin e zgjedhjeve. Afro 2 orë pas mbylljes së qendrave të votimit, kreu i PD doli në një konferencë për mediat, ku nuk foli për fitore, por për rritje të PD në bastionet e saj. Më pas ai akuzoi PS se ka pajtuar bandat për tjetërsimin e votave.
“Të dhëna operative nga mbarë vendi dëshmojnë se në zonat tradicionale të qendrës së djathtë ka një rritje të ndjeshme të elektoratit dhe priten konform kësaj rritje edhe rezultatet me një optimizëm të vërtetë. Por unë jam këtu para jush për të deklaruar se sovrani foli. Vota është në duart e komisionerëve, në përgjegjësinë më të madhe. Në Durrës, bandat e Pojës, e Troplinit, kanë vërshuar drejt KZAZ-ve me urdhrin nga Edi Rama se mund të ndikojnë në rezultat. Kjo nuk është vetëm në Durrës, por ata janë më aktivë, janë denoncuar, qoftë nga mediat, qoftë nga PD dhe në zonat e tjera Edi Rama ka zgjedhur një lloj presioni drejt KZAZ-ve“, tha ai.
Më pas Berisha pati dhe një mesazh për komisinerët, duke ja u bërë të qartë se nuk duhet të blihen dhe të bien pre e presioneve.
“Tani, porosia ime e prerë për të gjithë komisionerët tanë në KZAZ, në komisionet e numërimit, të zbatohet ligji, ligji dhe vetëm ligji. Asnjë votë nuk mund dhe nuk duhet të numërohet në presion. Garantoj të gjitha bandat se qeveria e Aleancës për Shqipërinë Madhështore do t’i shpallë ato grupe terroriste dhe do marrin ndëshkimet më maksimale si të tilla. Unë e kuptoj që ata janë në përpëlitjet e tyre të fundit dhe besojnë se mund të ndikojë në vullnetin e sovranit. Asgjë nuk mund të ndryshojë. Populli ka folur në mënyrë vendimtare”, tha ai.
Ai u pyet nga gazetarët nëse ka fituar PD apo jo, por devijoi: “Unë pres sovranin. Unë jam këtu për të paraqitur para jush ato që ndodhin. Ne gjatë gjithë ditës kemi dokumentuar me përgjegjësi të plotë përpjekjet antiligjore në të katërta anët e vendit, por të dërgosh banda për të rrethuar KZAZ është një përpjekje për të ndikuar në rezultat, por kjo nuk do të ndodh sepse komisionerët tanë kanë marrë masa. Përgjegjësia e kësaj është e Edi Ramës”.