PD në Sarandë prek fundin politik: Rezultati i së dielës, më i keq se në 1997

Partia Demokratike ka shënuar një nga rezultatet më të errëta në historinë e saj politike në Sarandë, duke rrëshqitur më poshtë se në vitin famëkeq 1997. Kjo nuk është më thjesht një humbje votash. Është një alarm politik, një akt ndëshkimi i qartë nga qytetarët, që kanë humbur çdo besim në një opozitë që nuk përfaqëson më interesat e tyre.

Në zgjedhjet e së dielës, PD jo vetëm që dështoi të mobilizojë elektoratin tradicional, por u fundos në një rezultat që pasqyron shkëputjen e plotë nga realiteti lokal. Ajo që po ndodh në Sarandë nuk është një rast i izoluar, por simbolika më e qartë e një rënieje të pakthyeshme në Jug, nëse nuk ndërmerren hapa urgjentë.

Problemi nuk është thjesht tek humbja – por tek mesazhi që sjell ajo.

Votuesit kanë folur qartë: ata nuk e duan më një opozitë që në vend të përballet me pushtetin, bën pazar me të. Një opozitë që toleron klientelizmin, që hesht përballë abuzimeve, dhe që përfaqësohet nga figura të vjetra, të konsumuar, që janë bërë sinonim i dështimit dhe bashkëfajësisë.

PD në Sarandë nuk po humbet më thjesht terren – po humbet ekzistencën politike. Territorë të tërë që dikur ishin bastione të së djathtës sot janë kthyer në zona të ftohta, ku partia mezi identifikohet, ku votuesit nuk ndihen më përfaqësuar, dhe ku çdo tentativë për mobilizim duket e vonuar dhe e pashpresë.

Nëse nuk ndodh një reformim i thellë, një reflektim brutal dhe një ndarje pa ekuivok me figurat që e kanë rrënuar moralin dhe besueshmërinë e PD-së, fati i partisë në jug është vulosur. Dhe ky nuk është më një paralajmërim  është një realitet që ndodhi të dielën.

Saranda është veçse fillimi i fundit, nëse nuk ndalet menjëherë degradimi i një partie që dikur frymëzonte shpresë, e sot shfaqet si një hijë e vetvete

Publikuar nga Publik Media