SPAK dhe BKH hetime në Elbasan për përfshirje të grupeve kriminale në procesIn zgjedhor

Një javë pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit 2025, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) vijojnë punën në terren për hetimin e krimeve të mundshme zgjedhore të ndodhura në Qarkun e Elbasanit.

Burime zyrtare konfirmojnë se hetimet janë përqendruar si në fazën parazgjedhore, ashtu edhe në ditën e votimit. SPAK dhe BKH po mbledhin prova, dëshmi dhe materiale që mund të dokumentojnë raste të tilla si blerje vote, kërcënime ndaj votuesve, shfrytëzim i paligjshëm i administratës publike nga ana e disa kryebashkiakëve për qëllime elektorale apo përfshirje të disa bizneseve të mëdha si edhe të grupeve të strukturuara kriminale në procesin zgjedhor.

Grupet hetimore janë duke analizuar pamjet filmike, komunikimet elektronike dhe të dhëna të tjera me qëllim zbardhjen e plotë të çdo rasti që mund të përbëjë shkelje të ligjit zgjedhor dhe atij penal.

SPAK ka theksuar se do të ndjekë penalisht çdo individ apo grup që ka tentuar të cënojë integritetin e votës dhe besimin e qytetarëve në procesin demokratik.

Gjatë mëngjesit të fundjavës që lamë pas SPAK dhe BKH zbarkuan në Elbasan, Peqin, Librazhd, dhe disa zona të tjera ishin në fokus të dokumentimit të krimeve të mundshme zgjedhore të ndodhura në këtë rajon, i cili ka qenë në monitorim të rreptë prej disa javësh nga të gjitha strukturat e zbatimit të ligjit.

Publikuar nga Publik Media