Kalimtarët kanë ndërhyrë menjëherë dhe gjatë përleshjes mes personit agresor dhe policit, arma ka përfunduar në anën tjetër të rrugës

pamje nga sherri
Një ngjarje e rëndë me potencial tragjik është regjistruar paraditen e sotme pranë zonës së Stacionit të Trenit në Tiranë. Konflikti ka nisur fillimisht brenda një lokali dhe më pas është përshkallëzuar në rrugë, ku janë përfshirë disa persona.
Situata ka dalë jashtë kontrollit kur njëri prej të rinjve të përfshirë ka dhunuar fizikisht një punonjës policie që ndërhyri për të ndalur sherrin. Në përleshje, agresori i ka marrë armën policit dhe, sipas dëshmitarëve, ka tentuar ta përdorë kundër qytetarëve të tjerë të pranishëm në vendngjarje.
Fatmirësisht, ndërhyrja e menjëhershme e kalimtarëve ka parandaluar më të keqen. Gjatë përplasjes fizike, arma e zjarrit ka përfunduar në anën tjetër të rrugës, duke shmangur një tragjedi të mundshme.
Ende nuk dihet zyrtarisht motivi i sherrit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë. Policia nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar mbi ngjarjen.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë momente kaotike dhe frikë mes qytetarëve, të cilët reaguan me guxim për të neutralizuar agresorin dhe për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës.