Si u përdorën paratë publike si “çek i bardhë” për Kajollët e lidhur me botën e krimit
Publik.al | 20 Maj 2025
Një tjetër tender i dyshimtë, një tjetër kompani e lidhur me emra të njohur të botës së krimit dhe një tjetër kontratë publike që duket se është përdorur si mbulesë për shpërndarje fondesh pa garë e transparencë.
Këtë herë, skema zhvillohet në qarkun Fier, ku kompania “SARK” shpk, në pronësi të fisit Kajolli, ka përfituar një tender për rehabilitimin e terreneve sportive me bar sintetik, vetëm pak ditë para zgjedhjeve vendore.
Tenderi, i cili ka si objekt “Furnizim dhe vendosje bari sintetik 5 cm për rehabilitimin e terreneve sportive”, u shpall më 27 mars 2025, ndërsa kontrata me fituesin u nënshkrua më 10 prill, vetëm 4 ditë para zgjedhjeve, me një fond limit prej 14 milionë lekësh pa TVSH (afro 170 milionë lekë të vjetra me TVSH).
Një garë me një garues – Kodet e heshtura të klientelizmit
Procesi është zhvilluar me vetëm një pjesëmarrës – kompania “SARK” shpk – çka jo vetëm bie ndesh me parimet e konkurrencës së lirë, por dëshmon atë që banorët dhe bizneset e Fierit e quajnë “ligjin e heshtur të tenderëve të ndarë më parë”. Në këtë realitet, askush tjetër nuk aplikon sepse fituesi dihet paraprakisht dhe në këtë rast, fituesi është sërish Kajolli.
Kjo kompani, e krijuar në Fier në vitin 2004 nga Arben Kajolli, ka përfituar rreth 200 tendera nga bashki të ndryshme, me dominim absolut në qarkun Fier. Vetë Arben Kajolli është i afërm i
Fatmir Kajollit, i cili ka qenë i përfolur në dosje të trafikut të drogës në Itali, dhe që ka nisur aktivitetin e kompanive familjare në Shqipëri nën mbështetjen e ish-ministrit Fatmir Mediu.
Fusha të paidentifikuara, kostot të paarsyetueshme
Tenderi nuk specifikon as cilat fusha do të rehabilitohen, as sasinë e saktë të barit sintetik, e as parametrat teknikë që duhet të përmbushë materiali. Dokumentet përmendin një “sasi të pritshme furnizimi”, por gjithçka mbetet në dorën e bashkisë, që sipas nevojës, do të kërkojë shtrimin e terreneve. Pra, nuk ka asnjë grafik konkret, duke e kthyer kontratën në një çek të bardhë, ku shuma për shpenzim dhe përfitimet përcaktohen sipas dëshirës.
Afati i zbatimit nuk është logjik ndërkohë që shtrimi i një fushe mund të kryhet në pak javë, kontrata lë hapësirë për realizim deri në dy vite, nën justifikimin se ky mund të jetë afati i garancisë së barit.
Kontradikta, paqartësi dhe abuzim i planifikuar
Në përshkrimin e kontratës thuhet se operatori do të realizojë shtresat mbështetëse dhe transportin, por më pas shtohet se në disa raste, këto do të kryhen nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, me nevojën për “rakordim rast pas rasti”. Kjo do të thotë se, një pjesë e punimeve do të bëhen nga vetë bashkia, ndërsa pagesat do të shkojnë në xhepin e kompanisë fituese – një formulë klasike për abuzim me fondet publike.
Nuk ka asnjë specifikim teknik mbi përbërjen dhe cilësinë e barit sintetik, përveç trashësisë që përmendet në emërtimin e prokurimit. Ndërkohë, kompania “SARK” nuk ka të regjistruar asnjë licencë aktive në QKB për momentin një fakt që e bën të diskutueshëm edhe vetë kualifikimin ligjor për të marrë pjesë në tender.
Bari që mund të dëmtojë përdoruesit?
Bari sintetik për fusha sportive duhet të jetë i certifikuar, me parametra që nuk dëmtojnë shëndetin, rezistent ndaj konsumit dhe i përshtatshëm për aktivitet fizik. Por në dokumentet e tenderit, nuk kërkohet asnjë lloj autorizimi nga prodhuesi, as përbërja kimike, as origjina e materialit, as certifikatat ndërkombëtare të cilësisë.
Kajollët dhe rivalët Fier, modeli i një strukture paralele pushteti
Kajollët nuk janë të vetmit që përfitojnë nga tenderat publikë në Fier. Burime të brendshme flasin për një ndarje të buxheteve mes familjeve të fuqishme, ku përveç Kajollëve, dominojnë edhe familjet e njohura si Ben “Qimja” dhe Renato “Çami”, të lidhur gjithashtu me struktura të tjera të influencës dhe mbrojtjes politike.
Megjithatë, edhe pse emri i “SARK” shpk është i lidhur me personazhe të përfshirë në skandale e hetime në të shkuarën, nuk është përfshirë në listën e sekuestrimeve të Prokurorisë, çka shton dyshimet për mbrojtje të strukturuar dhe imunitet të garantuar nga lart.