Si i lindur e i rritur në Tiranë, dhe si një i djathtë në origjinë, jam apriori i prirur të simpatizoj politikanen Jorida Tabaku. Por përtej arsyeve apriori, politikania Tabaku meriton të simpatizohet për 100 arsye të tjera. Më poshtë do të rendis disa prej tyre (jo të njëqinta).
Së pari, në një qark si Tirana, që vetëm rritet, PD-ja tkurret. Por jo Jorida! Në gjithë Qarkun Tiranë, atë e votuan 1/8 e gjithë votuesve të këtushëm që votën ia dhanë koalicionit PD-ASHM si subjekt (pa llogaritur diasporën, se pastaj raporti rritet në favor të Joridës). Përveç Ilir Alimehmetit, që iu afrua disi asaj me rreth 2400 vota (meriton shkrim më vete ky politikan me perspektivë), kandidatët e tjerë të listës së koalicionit e shohin me dylbi Joridën në majën që ka arritur me votat personale.
Së dyti, gjatë “luftës vllavrasëse” brenda PD-së mes fraksionit “Berisha” dhe fraksionit “Basha”, ajo mbajti një qendrim dinjitoz, pa denigruar apo anatemuar askënd. Ca të tjerë si Bardhi, Salianji, etj. nuk lanë fjalë pa nxjerrë nga goja kundër Berishës, dhe pastaj, kur era po frynte kah ky i fundit, iu përulën me servilizmin më të madh.
Pasi fraksioni “Basha” u tret, Jorida fitoi më shumë vota se çdo kandidate femër në republikë në primaret brenda PD-së. Por megjithëse anëtarët e thjeshtë të partisë e votëbesuan, Berisha e la atë në listën e hapur të kandidatëve për Kuvend. Jorida e pranoi me dinjitet këtë vendim të tij (ndryshe nga ndonjë kandidat tjetër qejfmbetur), dhe me profesionalitet iu fut garës për të marrë sa më shumë vota më 11 maj nga elektorati i gjerë tiranas. Dhe përsëri ajo doli kandidatja më e votuar femër në republikë – jo vetëm brenda elektoratit të djathtë, por në të gjithë elektoratin e këtushëm.
Si kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian në Kuvend, Jorida ka drejtuar punën me maturi e diplomaci, pavarsisht furtunave politike brenda partisë së saj apo mes partive kryesore. Falë asaj pune, ajo është figura me e respektuar nga rradhët e opozitës në qarqet diplomatike, gjë që duket nga lëvdatat publike të politikanëve dhe diplomatëve europianë për të.
Si anëtare e Komisionit të Ekonomisë e Financave në Kuvend, Jorida ka qenë zëri më i artikuluar opozitar në debatet rreth buxhetit, taksave/ tatimeve, dhe mbrojtjes së shtresës së mesme. Ajo u bë inisiatore e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së TVSH-së për profesionet e lira, dhe nuk iu nda asaj çështje deri sa Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi TVSH-në për 44 mijë profesionistë të lirë. Rreth 160 mijë familjarë të tyre duhet ta kenë falenderuar nga zemra Joridën për mbrojtjen e një kauze që ka të bëjë me jetesën e tyre të përditshme.
Si asnjë nga komisionet hetimore parlamentare të mëparshme (që kanë prodhuar vetëm zhurmë), Komisioni Hetimor për Incenratorët i drejtuar nga Jorida prodhoi dosje me fakte e prova, të cilat u bënë themeli i punës së SPAK-ut në hetimin e asaj afere aq të madhe.
Mund të vazhdohet me shumë arsye të tjera për të shpjeguar pse Jorida simpatizohet dhe votohet kaq shumë, por sidoqoftë mund të arrihet në të njëjtin përfundim. Tani që PD-ja po mpaket dhe Berisha po plaket, anëtarësia dhe elektorati i djathtë duhet t’i japë mbështetje Joridës për t’u bërë lidere e ardhshme e partisë. Me një lidere si ajo, e rrethuar nga politikanë të ngjashëm me të, PD- mund të realizojë atë që nuk e ka realizuar dot qysh nga viti 2005 – riardhjen në pushtet…