E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPIROPALI FESTON 100 VJET KLSH ME FJALIME PATETIKE
Lajme

SPIROPALI FESTON 100 VJET KLSH ME FJALIME PATETIKE

Qeverisja e Ramës shkaktoi 72 miliardë lekë abuzime në një vit

Tiranë — Publik.al

Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot një aktivitet për 100-vjetorin e themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe drejtuesve politikë. Në qendër të ceremonisë ishte një fjalim festiv i kryetares në detyrë të Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila foli për “angazhimin e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit” dhe për “pavarësinë e KLSH-së”.

“Sinergjia mes parandalimit dhe ndëshkimit ishte që në gjenezë, edhe atëherë kur përvoja dhe burimet njerëzore ishin inekzistente… Kuvendi i angazhuar në luftën ndaj korrupsionit kërkon bashkëpunimin tuaj,” tha Spiropali, në një fjalim që mund të shërbente si material për një festival satirik, nëse situata nuk do të ishte kaq serioze.

Hipokrizia institucionale: Nga fjalimi patetik, te censura brutale

Vetëm një vit më parë, e njëjta qeveri që sot shpreh entuziazëm për rolin e KLSH-së, bëri gjithçka për të bllokuar raportin vjetor të këtij institucioni në Kuvend, duke i hequr praktikisht të drejtën për të raportuar dëm ekonomik dhe abuzime me fondet publike.

Sipas raportit të fshehur të KLSH-së për vitin 2023, dëmi ekonomik i konstatuar kapte 72.3 miliardë lekë, rezultat i drejtpërdrejtë i keqmenaxhimit dhe shkeljeve ligjore nga administrata shtetërore dhe pushteti vendor. Për vitin 2022, shifrat ishin edhe më dramatike: 1.1 miliardë euro dëme vetëm në 9 muaj, duke shënuar një rekord abuzimi.

Por në vend që të merreshin masa, mazhoranca reagoi me një operacion politik për të nënshtruar KLSH-në.

Qeveria kërkon të kontrollojë kontrollorët

Në prill të vitit të kaluar, nën drejtimin e Eduard Shalsit, Kuvendi miratoi ngritjen e një nënkomisioni të ri: “Për Auditimin e Sektorit Publik”. Në letër një mekanizëm ndihmës, në praktikë: një strukturë për të vënë KLSH-në nën tutelën e mazhorancës.

Sipas vendimit të miratuar nga socialistët, KLSH do të detyrohet të deklarojë përpara qeverisë:

  • kohëzgjatjen e auditimeve,
  • planin e auditimit,
  • dhe emrat e audituesve përkatës.

Pra, përpara se një institucion publik të kontrollohet, ministrat duhet të dinë paraprakisht kush po i kontrollon, që të kenë kohë të “rregullojnë raportet” dhe të bëjnë pastrimin e zyrave siç duhet.

Deputeti Erion Braçe, dikur kritik i brendshëm, këtë herë u rreshtua me zell përkrah Shalsit, duke kërkuar me zë të lartë që KLSH të vihet nën mbikëqyrje.

A mund të ketë pavarësi, kur i vë kufij kontrollit?

Në një sistem normal, KLSH do të ishte një nga institucionet më të fuqishme të vendit, mbrojtësi i parave të taksapaguesve dhe zëri i alarmit për çdo abuzim. Në Shqipërinë e sotme, është thjesht një zyrë me dosje që nuk i lexon askush, përveçse kur duhen censuruar.

Dhe ndërkohë që Spiropali ngre dolli për pavarësinë e këtij institucioni, realiteti është se kontrollorët janë tashmë nën kontroll, ose më saktë: nën shantazh të hapur.

100 vite histori   dhe një dekadë nën shkelm

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka 100 vite jetë, por vetëm dekadën e fundit e ka kaluar në një betejë për të mbijetuar mes arrogancës së qeverisë dhe indiferencës së publikut.

A mund të ketë realisht luftë ndaj korrupsionit, kur të vetmet institucione që e zbulojnë atë, ndëshkohen, bllokohen dhe kontrollohen?

Në Shqipërinë e sotme, kjo pyetje nuk ka nevojë për përgjigje. Mjafton të dëgjosh një fjalim festiv të Elisa Spiropalit  dhe do e kuptosh vetë.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.