Firma e Ramës për hotelin 10-katësh në bregdet dhe heshtja e SPAK
Elvis Doçi, i njohur ndryshe si Visi i Pojës, është tashmë një emër i lakuar jo vetëm në hetimet italiane për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash, por edhe në skemat e dyshimta të ndërtimit në Shqipëri, ku përfshirja direkte e kryeministrit Edi Rama me firmë për leje ndërtimi hedh dritë mbi një aferë të thellë që Prokuroria e Posaçme, SPAK, duket se e ka injoruar.
Operacioni Antimafia dhe lidhjet me Shqipërinë
Hetimi i nisur nga Antimafia italiane ka zbuluar një organizatë kriminale shqiptare që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Europës. Sipas dosjes italiane, paratë e këtij aktiviteti vinin në Shqipëri përmes dhjetëra udhëtimeve me autobus dhe pastroheshin në kompani të regjistruara në emrin e Elvis Doçit.
Nga informacionet e referuara edhe tek SPAK, një nga kompanitë e përfshira ishte Eldemar Construction, në pronësi të Doçit. Kjo kompani zotëronte një makinë luksoze Audi A8 të blinduar, që u sekuestrua në kuadër të hetimeve të mëparshme për pasuritë e familjes Troplini. Por çuditërisht, kompania vetë nuk është sekuestruar nga SPAK.
Kompania “e amnistuar” që përfitoi nga rindërtimi dhe ndërtimet luksoze 
E themeluar në vitin 2010, Eldemar Construction ka përfituar fonde publike nga programet e Rindërtimit, si dhe leje ndërtimi të dhëna me firmë personale të Edi Ramës, për një hotel 10-katësh pranë Shkëmbit të Kavajës në shkurt 2024. Kjo kompani, edhe pse e lidhur me trafik ndërkombëtar droge dhe e përdorur për pastrim parash, nuk është prekur nga veprimet e SPAK.
Kompania “Rock of Kavaja” dhe loja me aksionet
Në korrik 2024, Visi i Pojës themeloi kompaninë Rock of Kavaja, me objekt aktiviteti në fushën e turizmit. Vetëm pak muaj më pas, në nëntor 2024, ai shiti 60% të aksioneve te kompania CFO PHARMA, një emër i panjohur më parë në sektorin e ndërtimit.
Tre ditë pas shitjes, kapitali i shoqërisë u rrit në mënyrë të dyshimtë nga 100 mijë lekë në 225 milionë lekë (rreth 2.3 milionë euro), përmes një “kontrate me rezervë” mbi tokën e ndërtimit — një formulë që lë të hapur dyshimet se pagesa për tokën nuk është kryer realisht, duke lejuar pastrimin e parave përmes rritjes artificiale të kapitalit.
Brand ndërkombëtar për fasadë , Pullman për hotelin e Vis Pojës
Më tej, kompania lidhi marrëveshje me brandin ndërkombëtar AÇOR (Pullman) për operimin e hotelit. Kjo marrëveshje përdoret si mbulesë për legjitimimin e projektit dhe të ardhurave, ndërkohë që struktura financiare e ndërtimit është e mbështetur nga CFO PHARMA, e cila mbulon 100% të investimit, ndërsa Doçi përfiton 40% të aksioneve vetëm përmes kontributit të tokës – që sipas dokumentacionit, mund të mos jetë paguar fare.
Kush janë kompanitë e tjera të sekuestruara dhe përse mungon Eldemar?
SPAK ka sekuestruar disa kompani të lidhura me këtë rrjet kriminal, si:
- Marquez (Ervin Zeqiri)
- Felix Vinum (Adi Çoba)
- Majestic Konstruksion (Juxhin Drazhi)
- Portside (Elvis Doçi)
- Dubai Inn & Vlora Cable (Nexhmedin Danaj)
- Kompania tregtare e makinave (Olgert Shqeviti)
Por Eldemar Construction, që mban emrin e Doçit dhe është qendra e shumë prej transaksioneve, nuk është përfshirë në këtë listë.
Një aferë e mbrojtur nga maja e pushtetit
Ky është një skenar klasik i pastrimit të parave përmes ndërtimit, ku:
- Visi i Pojës siguron tokën (me marrëveshje të dyshimta),
- Edi Rama firmos lejen,
- Hyn në lojë një kompani farmaceutike që fut paratë,
- Mbyllet skema me një brand ndërkombëtar që i jep reputacion projektit.
Ndërkohë që hetimet italiane janë të plota dhe transparente, SPAK hesht, nuk përmend as emrat e të arrestuarve, as të kompanive të përfshira një amnisti e heshtur për një nga projektet më të dyshimta të ndërtimit në vijën bregdetare shqiptare.