Dy vëllezërit Xhani dyshohen si të përfshirë në ekzekutimin e biznesmenit në Tiranë

U kapën duke drekuar në restorant me Xhevdet Plakun

24 Maj 2025 | Redaksia Investigative | publik.al

Një gjurmë e vetme, një dorëzë gjysmë e djegur, mund të zbardhë një nga vrasjet më brutale të muajve të fundit. Prokuroria ka në duar një profil të ADN-së, i cili është gjetur në dorëzën e djegur pranë motorit që autori përdori për t’u larguar nga vendi ku u ekzekutua biznesmeni Bujar Nasufi, në sy të bashkëshortes së tij, pranë banesës.

Burime konfidenciale për gazetaren Klodiana Lala bëjnë me dije se ky profil ADN-je do të krahasohet me atë të dy vëllezërve të skeduar për trafik ndërkombëtar droge në Holandë, të cilët dyshohet se kanë pasur një konflikt të ashpër e të vazhdueshëm me viktimën, për shkak të një prone që babai i tyre i kishte shitur.

Për të konfirmuar lidhjen me ADN-në e gjetur në vendngjarje, prokuroria ka marrë me vendim gjykate kampione biologjike edhe nga nëna e dy të dyshuarve, me qëllim për të verifikuar shkencërisht nëse gjurma korrespondon me një nga djemtë.

Konflikt pronësie, por edhe prapavijë kriminale

Ndërsa hetimi po thellohet, në sfond del një tjetër emër: Voltan Xhani, një i kërkuar për një tjetër vrasje mafioze   atë të Elis Rroshkodolit në Shkodër. Në servisin e tij u gjet mjeti që u përdor për atentatin. Prokuroria ngriti ndaj tij akuza për krijimin e kushteve për të kryer vrasje dhe trafikim të mjeteve motorike, ndërkohë që po heton lidhjen mes familjes Xhani dhe rrjetit kriminal që drejtohej nga viktima Rroshkodoli.

Pista e përplasjes për çështje të trafikut të drogës është aktualisht objekt i analizës nga Prokuroria e Shkodrës, që po zbulon lidhje gjithnjë e më të dendura mes grupeve rivale të krimit të organizuar.

Arratia që zbuloi lidhjet

Në mbrëmjen e së enjtes, vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani ranë në pranga në Durrës, teksa fshiheshin në shoqërinë e të shumëkërkuarit Xhevdet Plaku, alias “Akili”, i arratisur nga një burg në Itali dhe me një listë të gjatë krimesh në Evropë.

Bashkë me ta u kap edhe Flobens Mecia, i njohur me disa pseudonime si “Gega” apo “Drini”, që konsiderohet anëtar i organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Copja – një rrjet që operon në trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe ekzekutime me pagesë.

Dosje të ndërthurura, drejt një strukture mafioze

Të dhënat e fundit tregojnë se kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por pjesë e një strukture të gjerë kriminale, ku përfshihen grupe nga Shkodra, Durrësi dhe diaspora shqiptare në Holandë dhe Itali.

Vëllezërit, të cilët janë të skeduar për trafik droge në Holandë dyshohet se kishin konflikt me biznsmenin Nasufi për shkak të një prone që babai i tyre i kishte shitur. Përplasja mes tyre ka qenë e fortë dhe e vazhueshme.

Bujar Nasufi

Bujar Nasufi

Vrasja e Bujar Nasufit, përplasja për prona, konfliktet për territore të drogës dhe bashkëpunimi i disa prej këtyre personazheve me grupin e “Akilit” dhe “Copes” sinjalizojnë një zhvillim të ri në përmasat e krimit të organizuar në Shqipëri, që SPAK dhe Policia e Shtetit janë ende duke ndjekur në heshtje.

 

Publikuar nga Publik Media