Ndahet nga jeta regjisori i njohur Piro Milkani

Kinematografia shqiptare humbi sot një nga figurat më të rëndësishme të historisë së saj. Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare regjisori, skenaristi dhe producenti Piro Milkani një prej emrave më të respektuar dhe të dashur të artit filmik në Shqipëri. Lajmin e trishtë e ka ndarë me publikun djali i tij, regjisori Eno Milkani, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, ku shkruan: “Iku babi, shoku dhe kolegu im.”Piro Milkani lindi më 9 dhjetor 1939 në qytetin e Korçës. Pas përfundimit të arsimit të mesëm, ai u drejtua drejt një prej shkollave më prestigjioze të filmit në Evropë Akademisë së Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua në degën e operatorisë filmike. Ishte pikërisht aty ku u formua artistikisht, duke u njohur me stilin evropian të realizmit dhe estetikës filmike, ndikim që do ta shoqëronte gjatë gjithë krijimtarisë së tij.Pas kthimit në Shqipëri, ai u angazhua me pasion në zhvillimin e kinemasë kombëtare. Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, Piro Milkani realizoi mbi 20 filma artistikë dhe dokumentarë, duke lënë një trashëgimi të pasur dhe të shumëllojshme në ekranin shqiptar. Filma si “Kur zbardhi një ditë” (1971), “Zonja nga qyteti” (1976), “Ballë për ballë” (1979), “Militanti” (1984), dhe “Ngjyrat e moshës” (1990), janë jo vetëm kryevepra të kinemasë shqiptare, por edhe pasqyrime të kohës dhe shoqërisë shqiptare përmes një gjuhe të ndjerë filmike.I njohur për ndershmërinë artistike dhe profesionalizmin e tij, Milkani ka dhënë kontribut jo vetëm si regjisor, por edhe si skenarist, operator dhe producent, duke qenë një nga figurat më të gjithanshme të artit shqiptar. Ai ka qenë gjithashtu një ndër figurat kyçe në strukturimin e Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe në formimin e brezave të rinj të kineastëve shqiptarë.Në vitin 1987, për meritat e tij të veçanta, u nderua me titullin “Artist i Popullit”, një nga dekoratat më të larta shtetërore në fushën e artit. Ndërkohë, në vitin 1997, krijimtaria e tij u vlerësua edhe në arenën ndërkombëtare me “Çmimin e Veçantë” në Euro-Festivalin e Saint-Étienne në Francë.Një moment i veçantë dhe i mbushur me emocion ishte rikthimi i tij në Pragë në vitin 2024, kur, pas 63 vitesh, ai mori më në fund diplomën zyrtare nga Fakulteti i Filmit – një akt simbolik që e rrumbullakoi një jetë të tërë të përkushtuar ndaj artit dhe filmit.Piro Milkani largohet nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të pashlyeshme në kinematografinë shqiptare dhe në kujtesën kulturore të vendit. Ai do të kujtohet si një prej themeluesve të gjuhës vizuale shqiptare, një artist që i dha shpirt ekranit dhe që, me punën dhe përkushtimin e tij, frymëzoi breza të tërë kineastësh.

Publikuar nga Publik Media