Helmimi i fëmijëve në kopshtin e Gramshit, anëtari i Këshillit Bashkiak kërkon hetim penal dhe fton në protestë qytetare

Gramsh – Helmimi i disa fëmijëve në një nga kopshtet publike të qytetit ka tronditur thellë opinionin dhe ka ngritur alarmin për gjendjen e institucioneve arsimore në këtë bashki. Sipas informacioneve paraprake, fëmijët janë prekur nga bakteri Salmonela, çka ka sjellë probleme serioze shëndetësore dhe shqetësim të madh tek familjet e tyre.

Për këtë ngjarje ka reaguar sot publikisht një nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të Rrethit z. Erald Çarçiu në  Gramsh, i cili e ka cilësuar rastin si “një krim të fshehur ndaj foshnjave tona”, duke theksuar se autoritetet kanë tentuar ta minimizojnë dhe ta fshehin problemin në vend që të reagojnë me transparencë.

“Ky nuk është një rast i papritur. Si anëtar i Këshillit, kam ngritur më herët shqetësimin për kushtet në institucionet tona, gjatë mbledhjeve zyrtare dhe publikisht. Sot, kur kjo situatë ka marrë përmasa të rënda dhe ka prekur drejtpërdrejt fëmijët, kam reaguar sërish – dhe do jem një zë i fortë kudo ku më kërkohet, për të mbrojtur të vërtetën.” u shpreh ai.

Ai kërkon që Prokuroria të nisë hetim penal mbi këtë ngjarje, të cilën e cilëson si “masakër ndaj jetës së foshnjave”. Sipas tij, përgjegjësia institucionale nuk mbaron me deklarata të momentit, por kërkon transparencë, ndëshkim dhe një përkujdesje serioze për shëndetin e fëmijëve.

Thirrje për protestë qytetare:

Në reagimin e tij, përfaqësuesi i Këshillit Bashkiak i bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe prindërve të bashkohen në një protestë paqësore që do të zhvillohet nesër para Bashkisë së Gramshit. Ai thekson se kjo protestë nuk ka karakter politik, por është një thirrje qytetare për veprim konkret dhe mbrojtje të fëmijëve.

“Kujdesi për shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve tanë duhet të jetë i vazhdueshëm, serioz dhe transparent. Të mos heshtim!” – apelon ai.

Ngjarja e rëndë vjen në një moment ku siguria ushqimore dhe kushtet higjieno-sanitare në institucionet publike janë nën vëzhgim të shtuar. Publik.al do të ndjekë zhvillimet e mëtejshme dhe do të raportojë mbi përgjegjësit, reagimin institucional dhe ecurinë e hetimeve.

Publikuar nga Publik Media