Policia e Shtetit ka bërë me dije se rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i Serbisë deri te stadiumi “Arena Kombëtare” do të ketë bllokime të pjesshme sot në orën 16:30 dhe nesër në orën 18:45, për shkak të eskortës së ekipit serb gjatë stërvitjes dhe ndeshjes.
Kufizimet do të zgjasin deri në 25 minuta gjatë secilit kalim. Autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve dhe respektimin e udhëzimeve të policisë për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit, duke paralajmëruar tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje të rendit dhe sigurisë publike.
NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT
Në vijim të njoftimit të dhënë për planin e masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit “Shqipëri–Serbi”, ju informojmë se:
Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”, pasditen e sotme në orën 16:30 dhe ditën e nesërme në orën 18:45, do ketë kufizime të pjesëshme deri ne 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje mbasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen.
Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht që i gjithë aktiviteti të përfundojë me sukses porsa i përket masave të sigurisë, dhe në këtë kuadër me qëllim shmangien e incidenteve, apelojmë për mirëkuptim nga ana e qytetarëve, si dhe respektim të udhëzimeve të strukturave të policisë në terren.
Çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero.