
Publikuar më: 15 qershor 2025 | Gjurmusi
Në muajin prill, në një përgjigje zyrtare për interesin e gazetarëve, SPAK konfirmoi se një ministër aktiv është nën hetim. Pa emra, pa sqarime dhe me heshtjen tipike që struktura e posaçme justifikon me “standardin procedural” – që nuk lejon publikimin e një emri pa pasur ndaj tij një masë sigurie.
Nuk munguan aludimet, spekulimet dhe versionet e mbështetura në “burime konfidenciale”, duke u përplasur mes tezës së një ministri aktual dhe një ish-ministri, por gjithçka mbeti në terr.
Ndërkohë, Gjurmusi.com ka sjellë një kronologji me foto të të gjithë ministrave që nga viti 2022 e deri në 2024 kanë kaluar derën e SPAK, pasi janë thirrur për të dhënë deklarime si persona që kanë dijeni për rrethana të veprave penale të ndryshme.
Në total: 6 ministra aktivë dhe një zyrtar që më pas u emërua ministër.
Kush janë emrat që kanë dëshmuar në SPAK?
Ervin Mete – Ish ministër i Financave. U pyet gjatë kohës që ishte në detyrë. Dyshohet se është marrë në pyetje për aferën e inceneratorëve, periudhë kur shërbente si zv.ministër në kohën e Arben Ahmetajt.

Anila Denaj – Ministre e Ekonomisë. U pyet për një hetim të lidhur me aktivitetin e dikasterit që drejtonte.

Ogerta Manastirliu – Ministre e Shëndetësisë. E thirrur për çështje që nuk janë sqaruar publikisht.

Belinda Balluku – Zv.Kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës. U thirr për çështjen e inceneratorëve. SPAK, në një reagim zyrtar, deklaroi se nuk ka informacion për të ndarë për znj. Balluku, duke e lënë të paqartë statusin e saj real në hetime.

Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes. U përmend në dosjen “Ahmetaj” si i përfshirë në kontakte dhe takime jashtë vendit me personat kyç të aferës së inceneratorëve: Zoto dhe Mërtiri.

Arbian Mazniku – Ministër. U pyet për dosjen “5D”, që ka lidhje me një seri tenderash në Bashkinë e Tiranës, ku ai ka mbajtur poste të larta në kohën e Erion Veliajt.

Blendi Gonxhe – U pyet para se të bëhej ministër. Asokohe ishte drejtues i DPSHTRR. Sipas deklaratave të tij, thirrja nuk kishte lidhje me një hetim personal, por me palë të treta.

Për momentin, zyrtarisht asnjë prej tyre nuk është shpallur si person nën hetim. SPAK vazhdon të mos japë emra, ndërsa zyrtarët e përmendur publikisht si të pyetur, kanë shmangur çdo koment lidhur me natyrën e deklarimeve të tyre.
Rasti i Ballukut është më delikat, pasi ka pasur interes të drejtpërdrejtë nga gazetarët, por përgjigja zyrtare e SPAK ka qenë refuzimi për të dhënë informacion. Kjo vetëm sa e shton dyshimin.
Ministrat dhe ish-ministrat nuk janë më të paprekshëm. Por emrat e tyre nuk përmenden derisa një vendim sigurie të jetë vendosur.
Deri atëherë, SPAK nuk ka për qëllim të sqarojë dyshimet publike – por vetëm të thellojë hetimet në heshtje.