SPAK bastis shtëpitë e Ballukut dhe Maznikut

DOSJA BALLUKU – MAZNIKU: Hetimet e SPAK zbulojnë skemat familjare të shpërdorimit të fondeve publike në zemër të Rilindjes

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka hyrë zyrtarisht në katin e sipërm të pushtetit, duke hapur hetime të thelluara ndaj dy figurave kyçe të qeverisë Rama: zv.kryeministres Belinda Balluku dhe ministrit të Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku  të dy me një karrierë të lidhur fort me Bashkinë e Tiranës dhe strukturat e Rilindjes urbane dhe financiare.

Kontrollet në banesat e Ballukut dhe Maznikut: Fillimi i një fundi politik?

Burime konfidenciale konfirmojnë se agjentët e BKH-së kanë zhvilluar kontrolle të befasishme dhe të thelluara në banesat e Ballukut dhe Maznikut, ku janë sekuestruar mallra luksi dhe dokumente që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e skemave të dyshuara korruptive. Aksioni nuk është më një sinjal: është një mesazh. Një shkundje nga themelet e majës së piramidës politike që ka administruar fondet publike prej më shumë se një dekade.

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka futur në ankth pushtetarët e lartë të qeverisë, duke shtrirë hetimet në dy nga figurat kyçe të Rilindjes: zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku – ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe pjesë e rëndësishme e strukturës politike dhe financiare të qeverisë Rama.

Burime të sigurta bëjnë me dije se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle të thelluara në banesat e të dyve, duke bastisur dhe sekuestruar pasuri të pajustifikuara, mallra luksi, objekte me vlerë të lartë dhe çdo dokument që mund të ndihmojë në zbulimin e lidhjeve me aferat që po hetohen.

Nën hetim nga SPAK, Mazniku në takim “kokë më kokë” me Ulsi Manjën

Në rrjetet sociale ka qarkulluar një foto që ka ngritur jo pak dyshime dhe aludime. Në të shfaqen ministri Arbjan Mazniku dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, të ulur në një kafene në Tiranë, duke biseduar kokë më kokë.

Nëse do ishte një takim i zakonshëm midis dy kolegësh, në një kohë normale, ndoshta nuk do të përbënte lajm. Por ky takim ndodh pikërisht në momentin kur Mazniku është nën hetim nga SPAK për disa afera të dyshuara korruptive – dhe kjo i jep tjetër peshë këtij takimi. A ishte ky një konsultim politik, një koordinim për mbrojtje, apo thjesht një rastësi?

Afera me restorantin “The Home”

Një nga pistat ku është përqendruar hetimi ndaj Maznikut është restoranti luksoz “The Home”, në pronësi familjare të tij dhe të Endri Fugës, këshilltarit të ngushtë të Ramës. Restoranti ndodhet në një vilë dykatëshe në Pazar të Ri dhe, zyrtarisht, është regjistruar në emër të bashkëshorteve të tyre, Marinela Lika dhe Besa Fuga.

Gjatë periudhës kur Mazniku ishte nënkryetar bashkie, më 31 dhjetor 2023, Bashkia e Tiranës pagoi një faturë prej 236 mijë lekësh për darkën festive të organizuar në këtë lokal me 55 persona – një konflikt i pastër interesi dhe abuzim me fondet publike.

Për më tepër, një kompani e lidhur me të njëjtin biznes ka përfituar rreth 800 mijë euro tendera nga Bashkia e Tiranës dhe kompania publike Tirana DC – në të cilën Mazniku ka mbajtur postin e kryetarit të Këshillit të Administrimit.

Tirana DC dhe lidhjet me aferën “5D Konstruksion”

Tirana DC, kompania publike në pronësi të Bashkisë, u drejtua nga Redi Molla dhe më pas Mariglen Qato – të dy tashmë të arrestuar nga SPAK si pjesë e skemës së pastrimit të parave përmes kompanisë “5D Konstruksion”. Sipas hetimeve, kjo kompani kontrollohej prej tyre dhe përdorej për të përfituar miliona lekë në mënyrë të paligjshme.

Fakti që Mazniku drejtonte këtë shoqëri publike dhe paralelisht restoranti i gruas së tij përfitonte pagesa dhe kontrata, e shndërron këtë skemë në një situatë të qartë të konfliktit të interesit.

Hetimi për rrugën “Xhon Belushi”

Një tjetër dosje që rëndon mbi Maznikun ka të bëjë me asfaltimin e rrugës “Xhon Belushi” në Tiranë, në mes të fushatës zgjedhore të 2023, në mbështetje të kandidaturës së Erion Veliajt. Rruga u asfaltua nga Bashkia ndërkohë që tenderi ishte ende i hapur. Pas denoncimit nga Belind Këlliçi, tenderi prej 471 milionë lekësh u anulua, por përgjegjësia ligjore mbetet.

Prokuroria e Tiranës nisi hetim për “shpërdorim detyre”, por shpalli veten jo-kompetente dhe ia kaloi çështjen SPAK-ut.

Në një vend normal, një ministër i kapur në kaq shumë dosje dhe hetime do kishte dhënë dorëheqjen prej kohësh. Por në Shqipërinë e Edi Ramës, “mëkatari” ulet lirshëm në kafene me ministrin e Drejtësisë. Të dy “kokë më kokë”. Dhe SPAK… pret.

Balluku në telashe  nga inceneratorët tek TEC-et lundruese, çdo dosje çel një portë hetimi

Belinda Balluku është kthyer në emrin më të përfolur të hetimeve të SPAK. Me një portofol që kontrollon miliarda euro investime, ajo është përfshirë në një seri dosjesh penale që nisin nga inceneratori i Tiranës, kalojnë nga Tuneli i Llogarasë, deri tek koncesionet e energjisë dhe tenderat me klientë të paracaktuar.

Dosjet më të rënda për Ballukun:

  • Inceneratori i Tiranës: Kontrata 128 milionë euro – impianti s’është ndërtuar kurrë, por fondet janë shpërndarë.
  • Tuneli i Llogarasë: Tenderi me 30 milionë euro diferencë për të favorizuar kompani turke, të cilat më pas punësuan “Gjokën” si nënkontraktor.
  • Mbikëqyrja e tunelit: Tender 2 milionë euro fituar nga kompania e mikut të drejtorit të ARRSH-së – një tjetër skemë favorizimi.
  • Rasti Dalipi: Babai i drejtorit të OSHEE përfiton 30 milionë euro nga tenderat e ministrisë. Vetë Balluku firmos në konflikt interesi si zv.kryeministre.

SPAK zbërthen zinxhirin e bashkëpunëtorëve të Ballukut

Në këtë hetim nuk është vetëm Balluku. SPAK ka marrë të pandehur:

  • Erald Elezi, administrator i KESH
  • Gentian Gjyli, drejtor i ARRSH
  • Evis Berberi, ish-drejtor i ARRSH-së dhe Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, tashmë i arrestuar
  • Valter Begaj, ortak në kompani që përfitonte tendera në mënyrë të dyshimtë

Të gjitha këto figura janë pjesë e të njëjtit sistem të ngritur mbi patronazhin politik dhe klientelizmin ekonomik – me urdhër dhe mbulim nga maja e piramidës.

Energjia burimi i korrupsionit të madh

SPAK po heton edhe aferën e shitblerjes së energjisë jashtë bursës, një skemë që i ka shkaktuar shtetit 180 milionë euro humbje. KESH ka blerë energji më shtrenjtë dhe e ka shitur më lirë kompanive private, duke përfituar një grusht i vogël njerëzish. Balluku ka firmosur për bilancet e falsifikuara si kryetare e Asamblesë së Përgjithshme të KESH-it.

“Tigri 1” dhe “Tigri 3” – TEC-et lundruese që nuk prodhojnë asgjë, por kanë “ngrënë” 80 milionë euro

Opozita ka dorëzuar dokumente në SPAK për këtë skemë që ngjan shumë me inceneratorët. TEC-et janë ankoruar në Vlorë, por nuk janë vënë në funksion. Kompania që përfitoi kontratën është e lidhur direkt me Ballukun, dhe rasti është në hetim për shpërdorim fondesh dhe korrupsion të strukturuar.

Zadeja  një impiant diellor me kosto të fryrë

Një projekt prej 3 milionë eurosh është faturuar për 8 milionë euro – vetëm sepse ndërtuesi është vetë shteti, dhe tenderi është dhënë me firmën e Ballukut. Një tjetër shembull i rritjes artificiale të kostove për të përfituar privatisht nga fondet publike.

Fund i epokës së mosndëshkimit?

Balluku dhe Mazniku përfaqësojnë dy fytyra të një qeverisjeje që ka centralizuar fondet, koncesionet dhe kontrollin mbi territorin. Tani, me hetimet që thellohen, SPAK i ka mbërritur përfundimisht tek emrat e kabinetit, tek njerëzit që kanë nënshkruar, vendosur dhe mbuluar miliarda euro tendera dhe koncesione.

Nëse SPAK shkon deri në fund, këto hetime mund të hapin një kapitull të ri: jo thjesht ndëshkimin e zyrtarëve të nivelit të dytë, por shembjen e piramidës që ka vënë pushtetin në shërbim të familjarëve dhe klientëve politikë.

Publikuar nga Publik Media