E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lajme

Shefi i Sigurisë zbulon arsyen e zbarkimit të RENEA-s në protestë

Policia e Shtetit ka dhënë detaje mbi situatën e krijuar gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, duke raportuar për persona të arrestuar, procedime penale, dëmtime të pronës dhe efektivë të lënduar gjatë përplasjeve.

Në një deklaratë për mediat, Albert Nushi, shefi i Sektorit të Drejtimit në Departamentin e Sigurisë, foli për masat e marra nga policia, përfshirë daljen në terren të forcave speciale RENEA gjatë protestës së një dite më parë.

Telefonata për persona të armatosur, Nushi shpjegon daljen e RENEA-s

Sipas Nushit, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë mbërriti një telefonatë ku pretendohej se mes protestuesve kishte persona të armatosur dhe se po qëllohej me armë zjarri gjatë sulmeve me lëndë piroteknike ndaj policisë.

Ai deklaroi se ky informacion, i kombinuar me përplasjet dhe rrezikun e pretenduar për jetën e efektivëve, çoi në marrjen e masave shtesë të sigurisë dhe angazhimin e forcave RENEA.

Policia argumenton se prania e këtyre strukturave synonte mbrojtjen e punonjësve të saj në terren. Megjithatë, në deklaratën e bërë publike nuk u paraqitën prova që të konfirmonin pretendimin për praninë e personave të armatosur mes protestuesve.

Nushi sqaroi gjithashtu se gjatë ndërhyrjeve janë përdorur në mënyrë të kufizuar pajisje speciale për menaxhimin e turmave, në varësi të nivelit të rrezikut dhe situatave me të cilat janë përballur efektivët.

27 të arrestuar në Tiranë, 19 persona nën hetim në Shkodër dhe Vlorë

Sipas bilancit të prezantuar nga Policia e Shtetit, në Tiranë janë shoqëruar gjithsej 54 persona. Prej tyre, 27 janë arrestuar, ndërsa 27 të tjerë janë proceduar penalisht.

Ata dyshohen për përfshirje në akte dhune, dëmtim të pronës dhe sulme ndaj punonjësve të policisë.

Gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore, policia bën me dije se ka sekuestruar një karikator me fishekë luftarakë, dy bomba Molotov, doza kanabisi, vida, sfera metalike dhe materiale të tjera që, sipas saj, janë përdorur gjatë përplasjeve.

Ndërkohë, në Shkodër dhe Vlorë janë proceduar penalisht 19 persona për veprime të kundërligjshme gjatë tubimeve të zhvilluara një ditë më parë.

37 efektivë të plagosur brenda një dite

Një tjetër shifër e bërë publike nga policia është ajo e punonjësve të lënduar gjatë protestës së djeshme në Tiranë. Sipas Nushit, 37 efektivë kanë mbetur të plagosur si pasojë e sulmeve dhe përplasjeve.

Në deklaratën e saj, Policia e Shtetit pretendon se prej gjashtë ditësh po përballet me sulme nga grupe personash të maskuar, të cilët, sipas institucionit, kanë përdorur gurë, pllaka guri, sfera metalike, vida, mjete piroteknike dhe bomba Molotov.

Policia deklaron gjithashtu se gjatë protestave janë dëmtuar institucione shtetërore, objekte të drejtësisë, institucione bankare dhe prona publike e private. Sipas saj, një prej incidenteve ka qenë edhe vënia e zjarrit në hyrjen e godinës së Gjykatës së Lartë.

Policia: Protestuesit të distancohen nga dhuna

Në përfundim të deklaratës, Nushi u bëri thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën për protestë në mënyrë paqësore dhe të distancohen nga personat që përdorin dhunë.

Policia iu drejtua gjithashtu prindërve, duke u kërkuar të mos lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve në protesta, me argumentin se siguria e tyre mund të vihet në rrezik.

Institucioni bëri të ditur se po punon për identifikimin e personave të përfshirë në akte dhune përmes pamjeve filmike dhe veprimeve të tjera hetimore.

Në të njëjtën deklaratë, Policia e Shtetit hodhi poshtë lajmet se në Shqipëri kanë mbërritur oficerë nga policitë partnere për të menaxhuar protestat, duke i cilësuar ato të pavërteta.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.