Rama sfidon Farage: “Sill faktet, ose eja në Shqipëri si i ftuar im”

Një përplasje e ashpër dhe publike mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit britanik Nigel Farage ka ndezur skenën politike ndërkombëtare. Pas deklaratës së Farage se “1 në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg”, Rama ka reaguar ashpër, duke e konsideruar këtë një shpifje të tejfryrë dhe i ka bërë thirrje deputetit britanik për një përballje me fakte konkrete.

Në një postim të gjatë dhe ironik në rrjetet sociale, Rama e cilëson Farage si “virtuoz të politikës së titujve bombastikë” dhe i ofron një sfidë të drejtpërdrejtë: nëse statistika e tij rezulton e vërtetë, ai është i gatshëm të rikthejë në Shqipëri çdo shqiptar të burgosur në Britani. Por nëse kjo shifër del e pavërtetë, Rama e fton Farage të vijë në Shqipëri “si i ftuar nderi”, për të njohur realisht vendin dhe njerëzit që ai denigron.

“Nëse pretendimi juaj ‘1 në 50’ rezulton i saktë – unë, personalisht, angazhohem t’i marr të gjithë mbrapsht. Por nëse ajo statistikë del thjesht karburant për tabloidët  vini në Shqipëri si i ftuari im, dhe njihuni me mikpritjen, diellin dhe faktet reale për shqiptarët,” shkruan Rama.

Pse shpërtheu Farage?

Deklarata e Nigel Farage vjen si kundërpërgjigje ndaj një interviste të Ramës për The Guardian, ku ky i fundit kritikoi planin e liderit laburist Keir Starmer për të dëbuar azilkërkuesit e refuzuar, duke thënë se kjo tregon se “Britania pas Brexit ndodhet në një vend shumë të errët”.

Kryeministri shqiptar theksoi se Brexit-i ka transformuar narrativën publike në Britani, duke e zhytur vendin në një klimë toksike dhe paragjykuese ndaj të huajve veçanërisht ndaj shqiptarëve.

“80 për qind e gjërave që thuhen sot në Britani, para Brexit-it do të ishin konsideruar absurde, të turpshme apo të papranueshme,” u shpreh Rama.

Shqipëria kundër narrativës së urrejtjes

Kjo përplasje shënon një nga rastet e rralla kur një udhëheqës i huaj përballet drejtpërdrejt me politikanët britanikë në diskursin publik për emigracionin. Rama, ndonëse me një ton ironik e sfidues, i ka qëndruar një linje të qartë: shqiptarët nuk janë ata që Farage përpiqet t’i paraqesë.

Ai u kërkon të gjithë aktorëve britanikë që nxisin panik ndaj emigrantëve të “heqin dorë nga gjuha e urrejtjes” dhe të përballen me realitetin përmes fakteve, jo përmes thashethemeve të tabloidëve.

Ndërkohë, nga pala britanike nuk ka ende një reagim zyrtar ndaj ftesës së Ramës për një përballje me të dhëna konkrete. Por beteja e fjalëve mes dy figurave ka ndezur debat në rrjetet sociale dhe në mediat ndërkombëtare.

Publikuar nga Publik Media