SPAK vendos nën akuzë 28 persona në UBT

SPAK ka mbyllur hetimet dhe çon për gjykim dosjen për Universitetin Bujqësor të Tiranës, e cila shkaktoi edhe përplasjen mes Kryeministrit Edi Rama dhe strukturës së posaçme të hetimit.

Sipas raportimeve, SPAK ka vendosur nën akuzë 28 persona, mes të cilëve pedagogë, staf akademikë dhe biznesmenë, që dyshohet se janë përfshirë në skemën e abuzimit me tenderat.

Ndaj të pandehurve janë ngritur akuza për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”, në kuadër të procedurave të zhvilluara për prokurime publike në këtë institucion arsimor.

Operacioni i SPAK nisi në fund të shkurtit 2025, ndërsa u lëshuan në atë kohë 24 masa sigurie, duke shkaktuar një tronditje në Universitetin Bujqësor.

Personat nën hetim akuzohen për abuzime në 9 procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë prej 900 mijë eurosh. Hetimet për këtë dosje janë realizuar nga prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prenci.

SPAK thotë se zyrtarë të UBT në bashkëpunim me biznese frynin tenderat dhe përfitonin paratë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, kompanitë “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF” kanë bashkëpunuar me drejtuesit e UBT-së në përgatitjen e dokumenteve të tenderave, duke siguruar oferta të falsifikuara dhe duke ndikuar në rritjen e padrejtë të fondit limit.

Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se përgatitja e dokumentacionit për fondet limit dhe specifikimet teknike janë bërë në koordinim të plotë me fituesit e paracaktuar të tenderave, ndërsa nuk bëhet asnjë analizë reale të tregut.

Në ditët e para të operacionit, Kryeministri Edi Rama lëshoi një seri akuzash në drejtim të SPAK, duke thënë në atë kohë se po arrestoheshin individë pa vendime gjykate. Ishte periudha kur Rama akuzoi SPAK se po abuzonte me kompetencat, duke ngritur një seri pretendimesh lidhur me mënyrën se si vepronte Prokuroria Speciale.

Madje një seancë e posaçme dëgjimore u realizua edhe në Grupin Parlamentar të PS me Rektorin e Universitetit Bujqësor.

“Nesër në 09.00 Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë lekë! Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë2030. Nesër në 09.00 LIVE nga godina e Kuvendit”, shkruante Rama në 25 shkurt, duke njoftuar atë se çfarë do të ndodhte në Grupin Parlamentar të PS-së.

Çfarë njoftonte SPAK lidhur me operacionin?

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bazuar në aktet e referuara nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjera ligjzbatuese në vend, regjistroi procedimin penal nr.13 më 21.10.2022, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funsione publike”, parashikuara nga nenet 258, 259 dhe 244 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara rezulton se Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Njësisë “E” për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Hetimore, në Departamentin e Policisë Kriminale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Agjencitë Ligjzbatuese të tjera në vend, janë grumbulluar dhe referuar të dhëna për përfshirjen në veprime korruptive të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, veprime të shtrira në një kohë të gjatë, në procesin e përgatitjes dhe zhvillimit të procedurave të prokurimeve publike. Nga hetimet proaktive me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, me autoritet kontraktor Universiteti Bujqësor i Tiranës, deri në këtë fazë të hetimit janë hetuar në kuadër të këtij procedimi nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) lekë. Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të nivelit akademik në UBT, shtetasit; R.K., dhe I.K., me detyrë zëvendësrektorë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, B.B., me detyrë përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike në UBT, që në kohën e ideimit të projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI ka kryer veprime në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin E.T., me detyrë Administrator i UBT-së.

Veprimet e kundraligjshme të personave të mësipërm kanë konsistuar në përgatitjen e të dhënave fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor në fazën e përgatitjes dhe gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, veprimet e komisionit të përllogaritjes së fondit limit dhe specifikimeve teknike apo termave të referencës, të koordinuara në vazhdimësi me veprimet e kundraligjshme të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave. Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasit; A.Ll, M.Q., A.M., E.S, K.J., A.S., A.B., S.S., I.K., D.L., A. P., A.K., R.Dh., B.S., T.P., E.K., K.L., E.Sh., në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin E.T., të cilët, kanë krijuar kushte dhe favorizuar në shpalljen fitues në këto procedura prokurimi, operatorët ekonomik “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.

Gjatë hetimit ka rezultuar se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike apo termat e referencës dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit janë kryer nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomik fitues; “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”. Në të gjitha procedurat e prokurimit të mësipërm, operatorët ekonomik fituesë; “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF” kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, të cilat janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa bërë asnjë studim tregu. Janë evidentuar raste të zhvillimit të procedurës së prokurimit me operator eknomik të paracaktuar fitues, për pajisje dhe mallra të tjera, që i janë vënë në dispozicion autoritetit kontraktor, disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit (procedura prokurorimi të zhvilluara pas administrimit më parë të këtyre paisjeve, për të cilat më pas janë kryer procedura prokurimi fiktive dhe marrje në dorëzim e tyre).

Pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr.9, datë 24.02.2025, ka vendosur: Të caktojë ndaj shtetasve: E.T.,* A.Ll.,* M.Q.,* A.M.,* masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal. Të caktojë ndaj shtetasit P.Z., masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal (katër raste). Të caktojë ndaj shtetasve: A.S., A.B., S.S., I.K., D.L., A.P., A.K., R.Dh., B.S., T.P., masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 e 25 të Kodit Penal”.

Personave që iu vendos masa e sigurisë

Arrest me burg:

Edmond Tërthorja,
Amarildo Lleshi,
Mehmet Qoshja,
Altin Murto,
Piro Zoga,

Arrest shtëpiak:

Agim Sefa,
Arjan Buliqi,
Serafin Skënderi,
Ilir Kusi,
Dritan Laçi,
Azem Parllaku,
Artur Koleci,
Radion Dhromi,
Blenard Spaho,
Tedi Proda,

Detyrim paraqitje:

Enkeleida Sallaku,
Klara Jahollari,
Ilir Kapaj,
Erjola Kopali,
Klea Lekocaj
Romina Koto
Bejo Bizhga,
Etleva Shore,
Rezearta Dervishi

Publikuar nga Publik Media