8 muaj pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi me 18 vite burg në mungesë Talo Çelën, vendimi merr formë të prerë. Kjo për shkak se ka kaluar çdo afat për të bërë kundërshtim në Apelin e Posaçëm, kohë gjatë të cilës askush nuk ka paraqitur ankesë. Përfaqësuesi ligjor që e mbrojti në Shkallën e Parë ishte i caktuar kryesisht, dhe ndodhur në rrethanat kur i pandehuri nuk i dha prokurë të posaçme, rrëzoi mundësinë që ti drejtohej apelit.
Talo Çela është shapllur fajtor për grabitjen e 4.5 milion eurove në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, në prill të 2019, ngjarje ku mbeti i vdekur organizatori kryesor Admir Murataj. Kujtojmë se në Tetor 2023 Gjykata dënoi me 122 vite burgim 7 të pandehurit e grupit kriminal. Numri dy i bandës, Klement Çala me 20 vite, ndërsa për gjashtë të tjerët përkatësisht Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, trupa gjykuese dha nga 17 vite burg për secilin.
Dënimet ishin më të ulëta se ato të pretenduara nga Prokuroria e Posaçme, e cila për Klement Çalën kërkoi 24 vite burg, ndërsa për gjashtë të pandehurit e tjerë nga 19 vite. Për Ragip Hajdinin çështja u pushua pasi ai ndërroi jetë në burg.
Kujtojmë se zbardhja e komunikimeve në Sky Ecc, të Prokurorisë së Posaçme, Talo Çela është shprehur se nëse do i dilnin prova për grabitjen e Rinasit, ai do të shkonte për të jetuar në Brazil ku do të merrte një identitet të ri. Prej vitesh ai qëndron në krye të listës së personave më të kërkuar mga drejtësia shqiptare, teksa rezulton i implikuar në dhjetra ngjarje të rënda kriminale, sipas hetuesve nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë eliminuar fizikisht.