Kur turpin e ha me krudo dhe cipën e shpla me verë të shtrenjtë!

Sytki Spici 

Nga njëra anë, digjet Elbasani. Nga tjetra, qeveria krihet me krehërin e bardhë të retorikës boshe, ndërsa kryeministri shijon gotën e radhës të verës së kuqe italiane që s’i ndahet kurrë buzëve as kur tymi i plehrave kap retë.

Kjo është Shqipëria e vitit 2025: kur mbeturinat digjen, por propaganda digjet më ngadalë. Kur njerëzit mbyllin dritaret nga tymi, por televizioni i qeverisë i hap të gjitha ekranet për të shitur “suksesin” që vjen me aromë krize. Kur qytetarët frymojnë me filtra kafeje, por qeveritarët frymojnë vetëm aromë parash.

Për kujtesë, ishte vetë kryeministri Edi Rama që dikur, në një mbledhje qeverie, u emocionua nga një PowerPoint i ministrit të Mjedisit për projektin e inceneratorëve. E tha me gojën e tij:

“Ishte aq i bukur sa dukej i pabesueshëm.”

Po pra, zoti kryeministër, aq i bukur sa dhe vetë djalli do mbetej pa fjalë nga finesa e mashtrimit!

Me një pasion estetik për tenderat, Rama nënshkroi çfarëdo që u servir në tavolinë  mjafton të kishte dizajnin e duhur dhe pak grafika me ngjyra.

Por tani, pas disa “hetimesh të lezetshme” nga SPAK-u që mban më shumë dosje të lira sesa burgaxhinj të rëndësishëm  kemi kuptuar se “projekti i ëndrrave” ishte thjesht një grabë fshati me dimension kombëtar. Sepse ndërsa inceneratorët nuk ekzistojnë, paratë që “digjeshin” për ndërtimin e tyre  ekzistojnë shumë mirë, të depozituara në banka, vila e “ofshore”.

Sot, ndërkohë që Elbasani për të pestën ditë me radhë po përjeton një katastrofë ekologjike, me tym, flakë, ndotje dhe heshtje institucionale  çfarë duhet të thotë Edi Rama?

Ndoshta diçka si:

“Unë jam këtu për të parë me sytë e mi këtë performancë të zjarrtë që mbulon Elbasanin si një vello artistike. Nuk është djegie, është transformim ekologjik në një spektakël natyror të ndriçuar nga shkëndijat e së ardhmes.”

Apo ndoshta:

“Është thjesht një formë tjetër e menaxhimit modern të mbetjeve… përmes artit të flakës.”

Sepse në këtë vend, edhe djegia e plehrave nuk është krizë është ekspozitë.

Dhe çdo dështim i qeverisë është vetëm mënyra e saj e veçantë për të na treguar që shteti ka imagjinatë por jo përgjegjësi.

Dhe ndërsa qytetarët numërojnë ditët në tym, qeveria numëron fondet për laboratorë fiktivë, tendera pa garë dhe inceneratorë që ekzistojnë vetëm në fjalimet e Ramës. E ndërkohë, për Elbasanin që digjet, për Sharrën që shpërthen, për Fierin që mban erën, për Tiranën që gëlltit, faji është gjithmonë i… mungesës së kuptimit për “vizionin e madh”.

Pra, nëse prisni ndonjë përgjigje nga Edi Rama për këtë katastrofë… ai mund të jetë shumë i zënë duke gjetur mënyrën më estetike për të mohuar realitetin.

#QeveriaKrihet

#PlehratDigjen

#RamaMeGotë

#SPAKshikon

#ElbasaniDigjet

Publikuar nga Publik Media