Berisha e quan gjyqtaren Irena Gjoka,Llum i drejtësisë

Një javë më parë është hapur çështje gjyqësore për të

Kreu i PD, Sali Berisha ka vazhduar sulmet ndaj gjyqtares së posaçme, Irena Gjoka.

Pas paraqitjes në SPAK, Berisha vijoi me sulmet, duke e quajtur gjyqtaren “llum njerëzor dhe llum i drejtësisë”.

Kreu i PD, përsëriti edhe njëherë akuzën se gjyqtarja vazhdon punën edhe pse ka gënjyer në formular se nuk ka qenë e dënuar në Greqi, duke aluduar madje se ndaj saj para një jave qenka hapur çështje gjyqësore.

“Dy fjalë për gjykatësen llum njerëzor dhe llum i drejtësisë, turp njerëzor dhe turp i drejtësisë, gjykatësen me 5 mbiemra, Gjoka-Maneku-Stërmaneku. 18 muaj më parë është denoncuar si një mashtruese ordinere. Si një njeri që ishte shkarkuar me firmë të Sali Berishës dhe u thoshte avoketërve ma provoni se jam shkarkuar. Dhe kur avoketërit i nxorën vendimin, thoshte nuk jam Gjoka, por jam Maneku.

Ky llum njerëzor dhe llum gjyqësor vazhdon punën si gjykatëse duke qenë në krye të piramidës së turpit të punonjësve të sistemit gjyqësor. Thuhet se para një javë, në qoftë se është e vërtetë, qenka hapur çështje gjyqësore për të. Tani, më thoni ju mua, një njeri që ka kryer krime të shumta, dhe pas kryerjes së këtyre krimeve, e dënuar në Greqi për vepra penale dhe civile, u deklaroi para dy muajve gazetarëve në Shqipëri që nuk kam qenë kurrë e dënuar.

Ky njeri kishte firmosur prokura për avoketerët për ta mbrojtur për çështjet për të cilat ishte dënuar në Greqi. Ky person, i cili ka mashtruar publikisht në formularët që plotëson se nuk kam qenë e dënuar, vazhdon turpërisht të ulet në sallën e gjyqit sepse është fytyra e vërtetë e Altin Troplinit, fytyra e vërtetë e Ulsi Manjës dhe Edi Ramës. Këto janë pra ato që unë parashtrova në vizitën time të shkurtër”, tha Berisha.

Publikuar nga Publik Media