Pushohet nga puna në Departamentin e Shtetit Yuri Kim
Më shumë se 1,300 punonjës janë njoftuar për përfundimin e marrëdhënies së punës.
📍 Washington D.C., 11 Korrik 2025
Një valë e madhe shkarkimesh ka goditur Departamentin Amerikan të Shtetit, ku më shumë se 1,300 punonjës janë njoftuar për përfundimin e marrëdhënies së punës. Lajmi u konfirmua nga një zyrtar i lartë i këtij institucioni, në kushte anonimiteti, për agjencinë Associated Press.
Sipas të njëjtit burim, bëhet fjalë për 1,107 punonjës civilë dhe 246 diplomatë, të cilët kanë shërbyer brenda territorit të SHBA. Shkarkimet janë bërë, sipas burimeve të administratës republikane, në kuadër të një spastrimi të brendshëm, që synon të heqë elementët e paaftë, të korruptuar ose të lidhur me rrjete politike që kanë ushtruar ndikim negativ në politikën e jashtme amerikane.
Në qendër të vëmendjes ka rënë edhe ish-ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, e cila është shfaqur në protestën e organizuar nga një grup prej punonjësve të larguar. Pamjet e shpërndara nga Reuters tregojnë Yuri Kim mes turmës, në mbështetje të ish-kolegëve të saj, shumë prej të cilëve akuzohen se ishin pjesë e një strukture të lidhur me rrjetin e George Soros, tashmë i diskredituar dhe i goditur politikisht në SHBA.
Yuri Kim, e njohur për mbështetjen e saj të pakushtëzuar ndaj qeverisë së Edi Ramës dhe për raportet personale me ish-kryebashkiakun tashmë të arrestuar Erion Veliaj, është përmendur edhe në lidhje me projektin e dështuar të anijeve të energjisë në Vlorë, të sjella nga Belinda Balluku, për të cilat shteti shqiptar vazhdon të paguajë miliona euro.
Ndërkohë që në mediat pro-qeveritare në Tiranë flitej për ngritjen e Yuri Kim në detyrë në DASH, shfaqja e saj në një protestë në rrugë, në mbrojtje të atyre që administrata e re i cilëson si “parazitë diplomatikë”, tregon një realitet krejt tjetër.
Presidenti Donald Trump, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, dhe një sërë senatorësh republikanë kanë përshëndetur vendimin për shkarkimet masive si një hap të guximshëm për të pastruar sistemin dhe për t’i dhënë diplomacisë amerikane një frymë të re, të pastër dhe efektive.
Kjo lëvizje pritet të pasohet me ndryshime të thella në strukturën e Departamentit të Shtetit dhe me një rivendosje të prioriteteve të politikës së jashtme amerikane.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



