E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Foto/ Ky është Skifteri që riciklonte ushqime të skaduara
Lajme

Foto/ Ky është Skifteri që riciklonte ushqime të skaduara

Publik.al – Një tjetër skandal tronditës është zbuluar sot në Vorë, ku një magazinë ushqimore është kthyer në “fabrikë helmimi”, që prej kohësh riciklonte mallra të skaduar për t’i rikthyer në treg me etiketa të falsifikuara.

Pronar i kësaj fabrike, me emrin “Master AL”, është Skifter Tagani, i cili është identifikuar në foto dhe emër si njeriu pas këtij aktiviteti kriminal që përfshin grumbullimin dhe shpërndarjen e ushqimeve të skaduara, jo vetëm nga tregjet shqiptare, por edhe nga jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme, Tagani kishte ngritur një rrjet të mirëorganizuar, ku mblidhte produkte ushqimore të skaduara nga Tirana, Elbasani, Durrësi, por edhe nga jashtë, të cilat më pas i sillte në magazinën e tij në Vorë. Aty, punonjësit e fabrikës falsifikonin afatet e skadencës, i ripaketonin dhe i ridërgonin në markete të ndryshme në të gjithë vendin, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e konsumatorëve.

Gjatë një kontrolli të ushtruar ditën e sotme nga autoritetet, janë sekuestruar dhjetëra kilogramë ushqime, të cilave u ishte ndryshuar etiketa e skadencës, ndërkohë që kishin skaduar që në janar 2025.

Kush po mban përgjegjësi?

Megjithë natyrën tejet të rëndë të veprës penale   falsifikim, mashtrim tregtar dhe rrezikim i jetës autoritetet nuk kanë arrestuar askënd. Skifter Tagani është thjesht proceduar penalisht, një vendim që ngre pikëpyetje serioze mbi trajtimin e krimeve të rënda kundër shëndetit publik në Shqipëri.

Ndërkohë, dy të arrestuarit në këtë rast janë Florenc Domi (administrator i magazinës) dhe Agim Domi (magazinier), të cilët më shumë duken si “kokat e turkut”, ndërsa vetë Skifteri, njeriu që sipas të gjitha provave drejtonte këtë skemë kriminale, vijon të ecë i lirë.

I proceduar është edhe një shofer, 58-vjeçari me inicialet A. D., i cili transportonte mallrat e ricikluar drejt destinacioneve të shitjes.

A do të ketë drejtësi?

Kjo ngjarje e rëndë vjen në një kohë kur qytetarët shqiptarë përballen me një valë skandalesh në zinxhirin ushqimor dhe ku gjithnjë e më shpesh konsumatorët denoncojnë produkte me erë, ngjyrë apo shije të çuditshme, sidomos në supermarkete të njohura.

Nëse organet e drejtësisë duan të japin një mesazh të qartë kundër krimit ushqimor, atëherë Skifter Tagani është i pari që duhet të përgjigjet penalish, përpara se të jetë vonë për konsumatorët që, pa dijeni, kanë vendosur në tryezën e tyre mallra të rrezikshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.