E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama në UBT: Do të bëhet antenë rajonale e universitetit BOKU
Lajme

Rama në UBT: Do të bëhet antenë rajonale e universitetit BOKU

Publik.al | Tiranë – Kryeministri Edi Rama ka shpallur ambicien e radhës për arsimin e lartë në vend, duke nënvizuar gjatë një vizite në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) se ky institucion do të kthehet në një qendër ekselence rajonale në fushën e bujqësisë dhe kërkimit shkencor.

Në një aktivitet të zhvilluar në ambientet e universitetit, Rama deklaroi se objektivi është që UBT të shndërrohet deri në vitin 2030 në “antena rajonale” të universitetit prestigjioz austriak BOKU. Ai e konsideroi këtë një kthesë historike për institucionin, të cilin e përshkroi si një ndër më të rëndësishmit për të ardhmen e zhvillimit rural dhe të bujqësisë shqiptare.

“UBT ka pasur dy faza: një të lavdishme, kur ishte qendër e dijes me pedagogë të shquar dhe akademikë të denjë për çdo universitet evropian, dhe një fazë rrënimi, ku territori i tij u përdor për aktivitete të denigrueshme – nga shitja e qofteve te të brendshmet,” tha Rama.

Kreu i qeverisë nuk kurseu ironinë ndaj atyre që, sipas tij, braktisën arsimin bujqësor për një “kohë mercedesash të vjedhur”, duke theksuar se reforma e ndërmarrë synon të rikthejë UBT-në në binarët e standardeve ndërkombëtare.

Rama e konsideroi bashkëpunimin me universitetin BOKU të Austrisë si një hap strategjik për transformimin e sistemit arsimor bujqësor në Shqipëri dhe për ndërtimin e një qendre kërkimore me ndikim rajonal. Ai siguroi se reformat do të thellohen dhe se mbështetja e qeverisë për këtë projekt do të jetë e pakushtëzuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.