E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Renis Tërshana kollitet në KPP për tenderin 9.1 MLN € të RTSH
Denoncime

Renis Tërshana kollitet në KPP për tenderin 9.1 MLN € të RTSH

KPP rrëzon anulimin dhe urdhëron kontratën

Saga e përplasjes së fortë për tenderin 9.1 milionë euro në Radio Televizionin Shqiptar ka hyrë në një kapitull të ri tronditës. Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka vendosur të rrëzojë anulimin e procedurës së bërë nga RTSH dhe ka urdhëruar këtë institucion që të shpallë fituese kompaninë R&T të biznesmenit Renis Tërshana, duke i hapur kështu rrugë lidhjes së kontratës së majme.

10 milionë euro për ‘mikeshën’ e re: Pazari i parë i Eni Vasilit në RTSH

Vendimi zyrtar është publikuar në faqen e KPP-së dhe i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së që të anulojë skualifikimin e kompanisë R&T, të korrigjojë shkeljet dhe ta kualifikojë si fituese të procedurës.

 Çfarë ishte tenderi?

Tenderi në fjalë kishte për objekt “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”, me një fond limit prej 907 milionë lekësh (rreth 9.1 milionë euro). Ai u shpall me shpejtësi të dyshimtë në mars 2025 nga Aurora Polo, drejtoreshë në ikje e RTSH-së, në kulmin e debatit për zgjedhjen e drejtuesit të ri të institucionit.

Në garë morën pjesë tre operatorë:

  • T.B.S 96 (Artan Xhori): ofertë prej 7.6 milionë euro – më e ulëta

  • R&T (Renis Tërshana): ofertë prej 8 milionë euro

  • Idea Tel & Real Com: bashkim operatorësh me ofertë prej 9 milionë euro

▪ Çfarë ndodhi më pas?

Pas largimit të Polo më 25 prill dhe emërimit të Eni Vasilit si drejtore e re e RTSH, komisioni i tenderit shpalli skualifikimin e të treja kompanive, duke deklaruar se asnjëra nuk përmbushte kriteret. Pas kësaj, më 6 maj RTSH anuloi zyrtarisht tenderin.

Por kjo nuk u mbyll me kaq.

Dy nga operatorët pjesëmarrës, R&T dhe bashkimi Idea Tel & Real Com, e ankimuan vendimin pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Ajo që pasoi ishte një luftë e fortë në prapaskenë, e shoqëruar me zhvillime dramatike: kreu i KPP-së Jonaid Myzyri u pezullua dhe u mor i pandehur nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Fundi i sagës: Urdhër për kontratën me R&T

Pas më shumë se tre muaj përplasjesh, KPP vendosi në favor të kompanisë së Renis Tërshanës. Vendimi e konsideron të padrejtë skualifikimin dhe anulimin nga RTSH dhe i jep urdhër këtij institucioni të lidhë kontratën 4-vjeçare me R&T.

Ky zhvillim e bën këtë tender një nga më të debatuarit e vitit dhe ngre shumë pikëpyetje për ndikimin e interesave politike dhe financiare në administrimin e fondeve publike të RTSH-së.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.