E premte, 16 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kështu do të “ngordhim” të tërë!
Lajme

Kështu do të “ngordhim” të tërë!

Mentor Kikia

Një tjetër i moshuar në Korçë u gjet i vdekur në banesë. Kishte disa ditë që kishte ndërruar jetë. Ishte vetëm, pasi fëmijët kishin emigruar me kohë. Para pak ditësh, një burrë u gjet gjithashtu i vdekur në shtëpi, madje disa muaj pasi kishte ndërruar jetë. Edhe ai i vetmuar. Por jo vetëm në Korçë. Nuk janë raste sporadike. Po shtohen shumë madje.

Emigrimi masiv i rinisë që nisi në vitet 1990 dhe vazhdon ende, pasi kontribuoi për të ndërtuar shtëpi të bukura e të mëdha, për të blerë makina e për të ndikuar në rritjen e nivelit të jetesës së familjeve në Shqipëri, tashmë po shfaq frikshëm pasojat sociale.
Në shtëpitë e bukura që ndërtuan djemtë e vajzat emigrantë, po vdesin të vetmuar prindërit. Familjet ku jetojnë vetëm dy prindër janë thuajse shumicë në fshatra e qyteza të vogla. Nuk dëgjohen më zëra fëmijësh që qajnë, por vetëm zëra qensh që lehin.
55-65 vjeçarët e sotëm, të cilët i gëzohen faktit që fëmijët e tyre “janë sistemuar” në vendet e Europës, brenda një dekade nuk do të kenë fuqi të marrin as ilaçet vetë e nuk do ketë kush t’u japë një gotë ujë.

Shqipëria nuk është vetëm vendi me plakjen më të shpejtë të popullsisë në Europë. Ajo kërcënohet masivisht nga një moshë e tretë e vemtuar. Ata nuk mund ti ndjekin fëmijët nëpër botë. E fëmijët nuk mund të kthehen në shtëpi, pasi janë bërë prindër atje ku shkuan fare të rinj.

Shqipëria ka një shërbim social fare modest, sa as në telefon nuk ua del ti marrë të vetmuarit, për të ditur nëse janë gjallë apo kanë vdekur.
Shqipëria nuk është Gjermania, që të mbledhë mjekët e infermieret e vendeve të varfëra e ti shndërrojë në “babysitter” për të moshuarit.

Ndaj, mos dyshoni, kështu “do të ngordhim” të tërë. Të paktën lëreni derën hapur, mos e mbyllni nga brenda.

P.S: Nuk di nëse ka ndonjë vlerë ta lexosh këtë shënim. Sepse asngjë nuk ndryshon. Por ndoshta, do ishte mirë që, ata që kanë mbetur fshatrave e periferive nga një apo dy të moshuar në shtëpi, do bëjnë mirë që në vend që të zihen për gardhin e murin, ti shembin fare ato, e të pijnë kafetë sëbashku, sa të jenë.

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.