Problemi nuk është vetëm hajduti, por pritja jonë
/Manjola Kraja/
Problemi ynë nuk është vetëm hajduti. As krimineli. Problemi ynë është pritja.
Shoqëria jonë rri si në një stacion të ftohtë dimri, me sytë nga dera, duke pritur që të hyjë pendesa. Presim që hajduti të zgjohet një mëngjes me ndërgjegje të pastruar. Që krimineli të trokasë vetë në derën e drejtësisë. Presim një mrekulli morale, sikur të ishte një ngjarje e zakonshme kalendarike.
Ndërkohë, harrojmë se shoqëria nuk funksionon mbi pritjen, por mbi përgjegjësinë.
Është e çuditshme kjo ide që kemi ndërtuar: sikur e mira të vijë vetëm nga zemra e atij që bën keq. Sikur rendi të varet nga ndriçimi i errësirës, e jo nga ndezja e dritës. Madje as Zoti nuk ndërtoi një vizion ku e keqja rregullohet vetvetiu. Ai foli për ndërgjegje, po. Por foli edhe për drejtësi, për zgjedhje, për pasoja.
Ne, përkundrazi, shpesh zgjedhim të mos zgjedhim.
Shoqëria nuk është një trup abstrakt. Është një shumëzim heshtjesh. Një grumbull kompromisesh të vogla që, me kohën, bëhen normalitet. Dhe kur normaliteti mësohet me padrejtësinë, atëherë padrejtësia nuk ka më nevojë të fshihet.
Mesazhi është i thjeshtë, por i vështirë:
Nuk ndërtohet një shoqëri duke pritur ndërgjegjësimin e atij që dëmton, por duke zgjuar përgjegjësinë e atij që sheh.
Sepse, në fund, e keqja nuk forcohet vetëm nga ata që veprojnë, por edhe nga ne që presim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



