Një letër troç për gjeneralin ambasador Eric Wendt

I nderuar Ambasador Wendt,
Mirë se erdhët, z. Eric Wendt, si ambasadori i 11-të i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike, më 15 mars 1991.
Ndryshe nga ambasadori i parë, William Edwin Ryerson, 35 vjet më vonë ju do të gjeni këtu një popull që po shuhet dhe që drejtohet nga politikanë hajdutë e të paskrupullt. Ambasadori William Edwin Ryerson dilte në mitingje elektorale me Sali Berishën, nga kampi i sapokrijuar i opozitës. Tani do të takoni po të njëjtin Berishë. Do të takoni edhe kryeministrin e Gysit dhe të Vlorës, Ramën e gjatë. E kemi prej 14 vjetësh kryeministër. Këtë herë ishte në Amerikën tuaj dhe fjeti në një hotel ku nata kushtonte 15 mijë dollarë. E mban stekën e luksit lart kryeministri i vendit më të varfër në Europë. E ka me ligj: kryeministri duhet të flejë vetëm në hotele me pesë yje.
Në fillim do të sulen krokodilët e medias për t’ju takuar dhe intervistuar. Mësoni faktin e parë: këtu ka shumë televizione, të mirëinvestuara, por janë shërbëtore të politikës dhe bandave dhe zotërohen nga katër-pesë familje me interesa të thella biznesi.
Nuk e ekzagjeroj nëse ju them se shumica janë në të njëjtën gjatësi vale me kryeministrin Rama. Ka edhe portale dhe media të vogla që i thonë të vërtetat troç.
Shumë shpejt do ta kuptoni se servilët nga politika, biznesi, media dhe kultura e duan Amerikën “pak” më shumë se ju, ndaj do t’ju gostitin me darka dhe do të bëjnë “story” me fotografinë tuaj. Ne jemi pak hipokritë me ambasadorin amerikan. Këtë e them duke bërë krahasimin me dhjetë ambasadorët amerikanë para jush.
Ju përfaqësoni fuqinë e SHBA-së dhe, në sytë e vampirëve të pushtetit shqiptar, jeni një “derë e florinjtë”. Afërsia me ju do të përdoret si dëshmi pushteti, prestigji dhe privilegji.
Mikpritja shqiptare ekziston, por jo domosdoshmërisht në lozhat e politikës dhe të dhjetë oligarkëve, të cilët janë kryekëput zgjatim i interesave të pushtetit dhe pas kuuntave dhe të opozitës. Shumë shpejt do t’ju vijë ndot nga era e servilizmit dhe hipokrizisë politike që do të kundërmojë në çdo takim me njerëzit publikë.
Shqiptarët e thjeshtë e duan me zemër Amerikën dhe ndoshta jemi ende populli më proamerikan në Europë. Sigurisht, nuk po flas për interesat e huaja, ideologjitë ekstremiste dhe qarqet ekonomike që janë antiamerikane.
Politika shqiptare, me fjalë, është “besnikërisht” proamerikane.
Mjafton deklarata e Kryeministrit Edi Rama në Nju Jork, ku akuzoi administratën e Joe Bidenit se kishte tradhtuar dhe harruar Hashim Thaçin dhe Kosovën. Rama, që ka më shumë mik e vëlla presidentin serb Vuçiç sesa vëllanë prej gjaku e gjuhe, Albin Kurtin. Po ky kryeministër, që ka 14 vjet në detyrë, dikur deklaronte për CNN-in: “Zoti mos e dhëntë të zgjidhet Donald Trump president.” Tani as vetë kryeministri ynë nuk e di me kë është: mik për kokë i Sorosit apo kundër Bidenit.
Në kampin e opozitës klasike do të gjeni Sali Berishën, i cili dilte në fushatë në vitin 1991, krah për krah me ambasadorin e parë, Ryerson, por që u shpall “non grata” nga Blinken. Berisha e hodhi në gjyq dhe i shpalli luftë Sekretarit amerikan, duke deklaruar para foltoreve se Departamenti i Shtetit mund të blihej nga George Soros. Ndërsa ish-ambasadoren Yuri Kim e sulmoi me akuza dhe insinuata të rënda, duke e paraqitur si të korruptuar dhe të përfshirë në pazare të errëta. Në fakt, ambasadorja Yuri Kim u tha demokratëve se do të hanin bar me Berishën “non grata”.
Berisha sot, po i njëjti person, shitet si mik i madh i Amerikës, pasi udhëtoi drejt saj pesë vjet pasi u shpall “non grata”.
Harrova t’ju them se ne, si popull, kemi një sëmundje: shkojmë pas të fortit të lagjes apo të katundit, madje edhe e adhurojmë. Demokratët e adhurojnë Berishën. Tani që u kthye nga vizita në Amerikë, mendojnë se kaq e pati Rama. Rilindësit adhurojnë Ramën.
Pas pak kohësh do të kënaqeni dhe do të kuptoni se si pensionistët i puthin duart Ramës, edhe pse marrin 180 euro pension dhe ilaçet, ushqimet bazë e naftën i paguajnë më shtrenjtë se në vendet fqinje dhe në Europë.
Ta mendosh se buxheti i shtetit ndahet për koncesione dhe PPP për klientët dhe miqtë e kryeministrit. Pjesa tjetër vidhet me tenderime, po nga klientët dhe miqtë e qeverisë. Këtu, tek ne, ka ligje të reja për ekonominë. Nuk ka vlerë konkurrenca. Po të dojë qeveria Rama, për pak muaj më bën edhe mua oligark të ri. Më jep prona falas, më lidh me bandat ose më jep një koncesion të majmë. Është jashtë çdo imagjinate, e di! Por do ta mësoni gjatë ushtrimit të detyrës sesi janë ngritur kullat me para droge e korrupsioni më të bukura se në New York.
Kur të dorëzoni letrat kredenciale, do të takoni Presidentin Bajram Begaj. Po rregullon zyrat dhe ka ndërtuar shtëpi në tokën e tij, në vendlindje. Është njeri i urtë. Nuk i përzihet fare Ramës; vetëm firmos dekrete dhe udhëton ndonjëherë jashtë vendit për dieta e turizëm. Në letra, formalisht, është Komandant i Forcave të Armatosura të një vendi anëtar të NATO-s.
Ushtria shqiptare furnizohet me armatim dhe logjistikë nga KAYO e Ron Yeffet-it dhe TIMAK-u i Arjeta Pucës. Ardi Veliu është gjenerali në prapaskenë për firma që i kushtojnë dhe do t’i kushtojnë qindra milionë euro buxhetit të shtetit. Shërbimet e huaja mike të Shqipërisë kanë publikuar një përgjim mes Ron Yeffet-it dhe një trafikanti sovjetik armësh. Dëgjojeni, po ju doli koha, sepse është interesant.
Vlora Hyseni, drejtoresha e CIA-s shqiptare, është arrestuar para se të vinit në Shqipëri. Do të argëtoheni me histori sa therëse dhe turpëruese për ne dhe sigurinë kombëtare, aq edhe me histori kuplaraje. Harrova të them se kryespiunia Vlora dashuronte Gys Agasin.
Do t’ju duhet pak kohë të lexoni dhe të mësoni për bandat që veprojnë aktualisht në Shqipëri. Zëdhënësi i bandave ishte Gysi ose “zëvendëskryeministri”, që drejtoi AKSHI-n, Kadastrën, Policinë e Shtetit dhe lejet e ndërtimit, nga Tirana deri në Jug, për vite me radhë. Edhe tani që është në burg, bëhen emisione në “prime time” në mbrojtje të tij, sepse ka investuar për këtë ditë të zezë.
Po ju duket si film, por ky është realiteti ku do të shërbeni si ambasador, i nderuar Gjeneral.
Përtej bandave në Elbasan, Durrës, Tiranë, Fier, Vlorë dhe Shkodër, që qeveria i përdor për të grumbulluar vota, ka edhe një Shqipëri tjetër.
Përtej servilëve dhe disa oligarkëve, ekziston një Shqipëri tjetër: Shqipëria e halleve dhe e njerëzve të thjeshtë, që kanë ëndrra dhe probleme. Ka ish-të përndjekur që ende nuk janë integruar. Ka profesionistë të zotë. Ka protestues prej tre muajsh në shesh, që nuk duan as Ramën dhe as Berishën. Ka fermerë që janë në pikë të hallit, pa mbështetje. Ka gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm. Ka mësues që mundohen ta edukojnë, aq sa munden, brezin e ri. Ka edhe nëpunës të ndershëm. Ka ish-pronarë që sot e kësaj dite janë pa prona.
I nderuar Ambasador, keni për të mësuar plot histori që në fillim nuk do t’i besoni për vendin e shqipeve. Do ta kuptoni vetë se sa e zhytur në moçal është kasta politike që drejton vendin.
I nderuar Ambasador Wendt,
Amerika nuk ka nevojë për më shumë servilizëm nga Rama, Berisha, Qorri, Shehaj e të tjerë.
Shqipëria, në këto momente shumë të vështira, ka nevojë ulëritëse për drejtësi. Jemi lodhur prej vitesh me ambasadorokracinë. Ju, si ambasador dhe përfaqësues i Amerikës, ju lutem qëndroni mbi moçalin dhe shejtanllëqet e kësaj kaste politike, që e ka kërrusur dhe gjunjëzuar popullin shqiptar për më shumë se tri dekada.
Nëse mund të ketë ende një shpresë për këtë vend, ajo është që të hetohen dhe ndëshkohen hajdutët që e shqyen Shqipërinë copash për interesa pushteti. Ndaj mos e harroni fjalinë që thatë në Kongresin Amerikan: “Mbështes SPAK-un!” Edhe në SPAK dhe GJKKO,ka prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm. Jepuni suport dhe përkrahje ta fitojnë betejën për të ardhmen e vendit që për gjysëm shekulli ishte “eksperiment” diktature dhe per 35 vite u bë eksperiment i hajdutëve dhe sundimtarëve ‘haxhiqamilistë’.
Mirë se erdhët dhe punë të mbarë, Gjeneral!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



