Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve: Sulmi i Ramës ndaj gjyqtarit
I paprecedentë dhe i papranueshëm
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar ashpër pas kërcënimeve publike të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Marko Boshku. Në një deklaratë publike, Shoqata e cilëson këtë akt si një sulm të paprecedentë dhe të papranueshëm, duke i bërë thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) që të marrë një pozicion të qartë mbrojtjeje për gjyqtarët.
“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë konstaton e revoltuar se sërish kreu i ekzekutivit shqiptar, në një mënyrë tërësisht të paprecedentë dhe të papranueshme, ka sulmuar një tjetër gjyqtar të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, z. Marko Boshku”, thuhet në deklaratë.
Shoqata i shpreh mbështetjen e plotë gjyqtarit Boshku, të cilin e cilëson si një gjyqtar me integritet dhe model profesional. Po ashtu, i kërkon KLGJ-së të mbrojë pushtetin gjyqësor në tërësi dhe gjyqtarët individualisht.
Në apel drejtuar partnerëve ndërkombëtarë, Shoqata kërkon mbështetje të pakushtëzuar për sistemin e reformuar të drejtësisë dhe nxit ndërhyrjen e tyre për të garantuar që zëri i tyre të dëgjohet nga aktorët e brendshëm.
Deklarata kujton se çdo deklaratë denigruese ndaj gjyqtarëve përbën ndërhyrje në veprimtarinë e tyre dhe, sipas nenit 145, pika 3 të Kushtetutës, një veprim i tillë sjell përgjegjësi ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



