Rusia kërcënon NATO-n: Nëse qëlloni avionët, jemi zyrtarisht në luftë
Ambasadori i Federatës Ruse në Francë, Alexey Meshkov, ka lëshuar një paralajmërim të fortë në lidhje me qëndrimet e fundit të disa liderëve të vendeve anëtare të NATO-s.
Në një intervistë për radion franceze RTL, ai u shpreh se çdo përpjekje nga ana e aleancës për të rrëzuar një avion rus, pavarësisht pretendimeve për shkelje të hapësirës ajrore, do të kishte pasoja serioze.
“Nëse NATO ndërmerr një hap të tillë, atëherë është duke e çuar situatën në një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake,” tha Meshkov, duke shtuar se kjo do të ishte një rrugë pa kthim drejt konfliktit të hapur.
Ai kujtoi se avionët e vendeve të NATO-s janë regjistruar shpeshherë duke hyrë në hapësirën ajrore të Rusisë, por Moska, sipas tij, nuk ka reaguar në mënyrë agresive dhe nuk ka ndërmarrë masa ushtarake ndaj tyre.
Deklaratat e ambasadorit vijnë në një klimë të tensionuar, pas komenteve të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka këshilluar shtetet anëtare të NATO-s që të rrëzojnë aeroplanët rusë në rast të shkeljes së hapësirës ajrore të bllokut.
Ndryshe nga Trump, Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbajtur një qëndrim më të moderuar, duke i bërë thirrje vendeve aleate që të veprojnë me kujdes dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



