Nga diplomacia tek nafta, Yuri Kim merr post të lartë në ExxonMobil
Kompania që solli TEC-et lundruese të Vlorës
Pas një karriere të gjatë në shërbimin diplomatik amerikan, ish-ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, ka nisur një kapitull të ri profesional në sektorin privat. Ajo është emëruar në një pozicion të lartë drejtues në ExxonMobil, një nga kompanitë më të mëdha amerikane dhe ndër më të fuqishmet globalisht në fushën e naftës dhe gazit natyror.
ExxonMobil ka selinë në Teksas dhe renditet si kompania e shtatë më e madhe në SHBA për nga të ardhurat, ndërsa në nivel botëror zë vendin e 13-të. Prania e saj globale përfshin kërkimin dhe prodhimin e energjisë, rafinimin, shpërndarjen, si dhe investime në teknologji të qëndrueshme dhe kapjen e karbonit.
Lidhja me Shqipërinë dhe projekti në Vlorë
Lidhja e Yuri Kim me ExxonMobil nuk është rastësore. Gjatë mandatit të saj diplomatik në Shqipëri (2020–2023), ajo ishte pjesë e procesit të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet qeverisë shqiptare, ExxonMobil dhe Excelerate Energy për zhvillimin e një projekti energjetik në Vlorë.
Ky projekt përfshin:
- Rinovimin e Termocentralit ekzistues (TEC) të Vlorës për ta përshtatur me gaz natyror të lëngshëm (LNG),
- Ndërtimin e një terminali LNG,
- Kthimin e Vlorës në një qendër rajonale të shpërndarjes së gazit, duke rritur sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe rajonit.
Termocentrali në fjalë nuk ka prodhuar asnjëherë energji që prej ndërtimit, për shkak të problemeve teknike dhe operacionale. Marrëveshja e re synon të zgjidhë këto problematika dhe të bëjë funksional një aset strategjik për vendin.
Anijet TEC dhe kriza energjetike
Gjatë krizës energjetike të viteve 2021–2022, Shqipëria u përball me çmime të larta në tregjet ndërkombëtare dhe ndërmori masa emergjente, si marrja me qira e dy gjeneratorëve lundrues të energjisë (anijet TEC), të vendosura në Triport, Vlorë. Me kapacitet të kombinuar 110 MW, këto anije synonin të prodhonin energji në bazë të nevojave, por nuk u vunë kurrë në funksion. Kostoja e parashikuar e prodhimit përmes tyre ishte rreth 165 milionë euro, ndërsa qiraja për dy vjet llogaritej në 46 milionë dollarë.
Një kalim me ndikim – nga diplomacia te energjia globale
Yuri Kim e njoftoi vetë emërimin në ExxonMobil përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter).

Kalimi i saj në një korporatë me ndikim global si ExxonMobil sinjalizon vazhdimësinë e angazhimit të saj në çështje me rëndësi strategjike ndërkombëtare,këtë herë nga sfera e politikës energjetike dhe jo më nga diplomacia tradicionale.
Në rolin e saj si ambasadore në Tiranë, Kim u bë një nga figurat më aktive në mbështetje të reformës në drejtësi, forcimit të institucioneve demokratike, si dhe të marrëdhënieve strategjike mes SHBA dhe Shqipërisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



