Vrasja e Elis Rroshkodolit, zbardhet dëshmia e pronarit të lokalit
Vrasja e Elis Rroshkodolit, e kryer më 30 gusht 2024 në Shkodër, vijon të trondisë opinionin publik. Ai u ekzekutua nga persona të maskuar, të cilët iu afruan me një Benz C Class gri dhe e qëlluan me breshëri plumbash. Mjeti u gjet më pas i çmontuar në një garazh në Mullet të Tiranës, për të humbur gjurmët.
Sipas emisionit “Në Shënjestër”, grupi hetimor dyshon se organizatori dhe financuesi i atentatit ka qenë Voltan Xhani, ndërsa viktima njihej për lidhjet me grupin e Bajrave në Shkodër. Pista kryesore e hetimit lidhet me përplasjet mes grupeve të trafikut të kokainës.
Vetëm një javë pas krimit, policia arrestoi Xhulio Malon nga Gjirokastra, pasi në garazhin e tij u gjet makina e përdorur në atentat. Më pas, gjatë operacionit të koduar “Enigma”, u arrestuan edhe vëllezërit Xhani, të cilët u kapën në një restorant në Gjirin e Lalzit. Në shtator 2024, Gjykata e Shkodrës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”.
Dosja e siguruar nga “Në Shënjestër” përmend gjithashtu Dritan Milanin, vëllain e personit që Rroshkodoli kishte plagosur në Belgjikë, si një nga të interesuarit për hakmarrje. Hetuesit dyshojnë se ai ka bashkëpunuar me Malon dhe Xhanin për ekzekutimin.
Megjithatë, nëna e viktimës hedh poshtë pistën e drogës.
“Djali im nuk kishte lidhje me drogën. Këta janë vrasës me pagesë. Elisi u vra për plagosjen në Belgjikë, jo për drogën. Policisë i është ngatërruar apo e ka ngatërruar qëllimisht çështjen. Unë punoja gjithë verën në Velipojë, i çoja para djalit, edhe në Francë ku jetonte”, – ka deklaruar Lindita, nëna e Elis Rroshkodolit, për “Në Shënjestër”.
Në dëshminë e tij për hetuesit, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja ka treguar:
“Kur dola jashtë, pashë që shoku i viktimës ishte në këmbë, ndërsa Elisi i shtrirë në tokë”.
Hetimet për zbardhjen e atentatit vijojnë, ndërsa prokuroria po shqyrton si pistën e trafikut të drogës, ashtu edhe hakmarrjen për plagosjen në Belgjikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



