Prapaskenat e negociatave të grupit të PD-së: Nga telefoni, në kafe
Sali Berisha ende nuk ka përzgjedhur kandidatin për Bashkinë e Tiranës, pavarësisht se deklaron publikisht se lista e tij është e gjatë.
Ndërkohë që jo vetëm Bashkia e Tiranës, por edhe pesë bashki të tjera – Vlorë, Mat, Cërrik, Tepelenë dhe Berat – presin dekretin presidencial për shpalljen e datës së zgjedhjeve të pjesshme, negociatorët e Berishës nuk kanë arritur ende një marrëveshje për të dalë me një koalicion të gjerë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Top Channel, Flamur Noka ka zhvilluar vetëm një bisedë telefonike me kryetarin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili nuk është ende i gatshëm për një takim.
Lapaj, sipas burimeve të Top Channel, kërkon më parë të konsultojë strukturat e partisë së tij përpara se të marrë një vendim për një koalicion të mundshëm në zgjedhjet e parakohshme. Nga ana tjetër, Ilir Alimehmeti ka pasur një takim informal me Endri Shabanin, me të cilin ka konsumuar një kafe, por nuk është përcaktuar ende ndonjë datë për një takim zyrtar me grupin negociator të Nismës Thurje.
Pak ditë më parë, Agron Shehaj vendosi një kusht për Partinë Demokratike, duke kërkuar që grupi negociator të vijë me emrin e kandidatit për të vazhduar negociatat. Nga sa duket, ky kusht është përmbushur, pasi sot pritet që deputeti Erald Kapri dhe sekretarja e përgjithshme e Partisë Mundësia, Barbara Doda, të takohen me Ilir Alimehmetin dhe Belind Këlliçin. Flamur Noka nuk do të marrë pjesë në këtë takim.
Gjatë ditës së sotme, të mandatuarit e Sali Berishës pritet të kenë një takim edhe me Shpëtim Idrizin nga PDIU.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



