E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Tenderin për urën e Milotit e fitoi i kërkuari nga drejtësia
Lajme

Denoncimi: Tenderin për urën e Milotit e fitoi i kërkuari nga drejtësia

Partia Demokratike ka hedhur sot akuza të rënda në drejtim të qeverisë, duke denoncuar një tjetër aferë të dyshuar korruptive që përfshin Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në një deklaratë publike për mediat, deputetja demokrate Elda Hoti ka zbuluar detaje të tenderit për ndërtimin e Urës së Milotit, i cili sipas saj, i është dhënë një kompanie me pronar një person në kërkim dhe me precedentë penalë.

“Si deputete e Lezhës, sot bëj publike një tjetër aferë korruptive të Belinda Ballukut në qarkun tim. Në këtë tender morën pjesë gjashtë kompani, por në mënyrë të dyshimtë dhe në mungesë konkurrence, janë skualifikuar ofertat më të favorshme për shtetin, përfshirë edhe atë me çmimin më të ulët. A thua se ishte rastësi?”, deklaroi Hoti.

Sipas saj, ndonëse u evidentuan problematika të rënda, kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli nuk e ndaloi tenderin dhe nuk e përjashtoi kompaninë problematike.

Tenderi u fitua nga bashkimi i operatorëve ‘JUNIK’ shpk dhe ‘JOOS & KRASNIQI – BAZE’, me një vlerë prej rreth 1 milion euro.

Hoti zbuloi gjithashtu se njëri prej pronarëve të kompanisë fituese, Ded Malutaj, është shpallur në kërkim që në maj të vitit 2022, pasi akuzohet për mashtrim ndaj Prokurorisë së Elbasanit, me një dëm financiar prej 35 milionë lekësh.

“Ai, së bashku me të tjerë, ka instaluar sisteme të dëmtuara kondicionimi, duke mashtruar një institucion të drejtësisë dhe shkelur kriteret e tenderit,” përfundoi Hoti.

Deklarata e plotë e deputetes Elda Hoti:

“Si deputete e Lezhës sot do të bëj publike një tjetër aferë korruptive të Belinda Ballukut në qarkun tim, në xhepat e taksapguesve lezhjanë nga Miloti deri në Reps.

Një tjetër vjedhje dhe allishverish që rëndon mbi xhepat e qytetarëve. Një tjetër tender i dyshimtë, i paracaktuar, pjesë e aferave dhe interesave klienteliste. Një tjetër dëshmi e fytyrës dhe dorës kleptomane të kësaj qeverie.

E kam fjalën për tenderin me objekt:

‘Ndërhyrje emergjente për mbrojtjen e themeleve në urën e Milotit’, me një fond limit prej 1 milion euro.

Në këtë garë morën pjesë 6 kompani, por në mënyrë të dyshimtë, në mungesë konkurrence dhe me flamur të kuq u skualifikuan ofertat më të favorshme për shtetin, përfshirë edhe atë me çmimin më të ulët. A thua se ishte rastësi?

Jo! Ky ishte një plan i mirëmenduar, një skemë klasike për të favorizuar klientët e qeverisë. Fitues u shpall bashkimi i operatorëve ‘JUNIK’ shpk & ‘JOOS & KRASNIQI – BAZE’, me një ofertë prej 867 mijë euro, plot 233 mijë euro më shumë se oferta më e lirë që mund të ishte përzgjedhur.

Kush është ‘Junik’ shpk?

Një kompani në pronësi të Ded Malutajt, një emër tashmë i njohur për organet e drejtësisë. Ai është shpallur në kërkim në maj të vitit 2022, pasi u akuzua për mashtrim ndaj Prokurorisë së Elbasanit, me një dëm prej 35 milionë lekësh. Ai, së bashku me të tjerë, ka instaluar sisteme të dëmtuara kondicionimi duke shkelur kriteret e tenderit dhe mashtruar një institucion të drejtësisë.

Por ky fakt, që do duhej ta kishte përjashtuar automatikisht nga çdo garë publike, nuk e ka ndalur Gentian Gjylin, drejtuesin e ARRSH-së, për ta shpallur sërish fitues.

Kjo nuk është vetëm një shkelje e ligjit, por një poshtërim për çdo qytetar shqiptar, që punon dhe paguan taksa të cilat shkojnë për klientë të pushtetit.

Kjo është prova që konkurrenca është vrarë, që ligji nuk vlen, dhe që narko-regjimi vazhdon abuzimin me fondet publike, për interesa klienteliste”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.