E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Alimehmeti zbulon ‘kulisat’, si dështuan negociatat me Shehajn
Lajme

Alimehmeti zbulon ‘kulisat’, si dështuan negociatat me Shehajn

Ilir Alimehmeti, anëtar i grupit negociator të Partisë Demokratike për përzgjedhjen e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, ka bërë të ditur se opozita ka kërkuar një tryezë të përbashkët diskutimi me të gjitha forcat opozitare, përfshirë edhe partinë “Mundësia” të Agron Shehajt, për të diskutuar mbi kandidaturën e Florjan Binajt.

Sipas Alimehmetit, të gjitha forcat e përfshira janë kontaktuar për një takim konsultues, por Agron Shehaj nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

“Kemi kërkuar një takim me të gjitha forcat opozitare për të diskutuar kandidaturën e përbashkët për Bashkinë e Tiranës. Edhe partia ‘Mundësia’ është ftuar, por nuk kemi marrë përgjigje nga Agron Shehaj,” deklaroi Alimehmeti.

Deklarata vjen në një moment kur opozita është ende në përpjekje për të krijuar një front të bashkuar kundër kandidaturës së mazhorancës në kryeqytet, ndërsa emri i Florjan Binajt ka ngjallur debat dhe qëndrime të ndryshme brenda vetë opozitës.

Reagimi i Alimehmetit:

Drejtuar të nderuarve qytetarë dhe z. Shehaj:

1. Partia Demokratike ka qenë krejtësisht e hapur dhe ka respektuar çdonjë prej parimeve përzgjedhëse të kandidaturave që u diskutuan me forcat aleate dhe opozitare, madje ka pranuar edhe pikën e kandidaturës jopartiake të kërkuar nga vetë z. Shehaj publikisht.

2. Gjatë komunikimit të sotshëm zyrtar të Partisë Demokratike, z. Florjan Binaj u paraqit si kandidaturë që plotëson çdo parim bashkarisht të pranuar nga të gjitha forcat aleate.

Grupi negociator menjëherë kërkoi takimet me të gjitha forcat opozitare, përfshirë Partinë Mundësia, për diskutimin mbi kandidaturën e z. Binaj, por këto kërkesa u takuan me mospërgjigjen nga strukturat e drejtuese të Mundësisë.

3. Z. Florjan Binaj është një kandidaturë e shkëlqyer qytetare, zë kritik dhe i guximshëm i shoqërisë. Në vitet e fundit, ai është shquar për qëndrimet e tij publike kundër padrejtësive sociale dhe politike.

Ka pasur raste kur ai është distancuar nga projekte të mëdha për shkak të bindjeve të tij morale, gjest ky që kërkon integritet dhe guxim.Z. Florjan Binaj gëzon respekt të fituar me punë dhe dinjitet. Nuk është një figurë që ka ndërtuar famën mbi skandale apo promovim të panevojshëm, por është bërë i njohur dhe i respektuar falë talentit, punës së palodhur dhe sjelljes së tij etike dhe profesionale.

Pavarësisht suksesit, Florjan Binaj ka ruajtur thjeshtësinë dhe është perceptuar gjithmonë si “njeriu i zakonshëm” që nuk harron prej nga ka ardhur, karakteristike e një familjari të devotshëm dhe e një qytetari model.

E ftojmë z. Shehaj dhe Partinë Mundësia të bashkojë forcat e saj me grupin opozitar në mbështetje të kandidaturës së z. Binaj për t’i ndërruar faqen Tiranës dhe për të ndryshuar modelin e abuzimit dhe arrogancës së treguar ndaj saj nga kandidatët për qeli të pushtetarëve.

Besojmë se z. Shehaj ka mundësinë e pakundërshtueshme të tregojë hapur qëndrimin e tij opozitar në mbështetje qytetare ndaj kandidaturës plot vlera të z. Florjan Binaj për Kryetar të Bashkisë së Tiranës!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.