5 mijë € nga çdo vajzë, si funksiononte rrjeti kolumbian në Shqipëri
Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me veprimtarinë kriminale të një rrjeti ndërkombëtar trafikantësh, që u godit pak ditë më parë nga autoritetet kolumbiane e shqiptare, por edhe vende të tjera, nën mbikëqyrjen e Europol.
Mediat kolumbiane shkruajnë se pas gjashtë muajsh hetime dhe pasi u siguruan urdhrat e arrestit, autoritetet kolumbiane dhe ato europiane arrestuan në Medellín dhe në rajonin Valle de Aburrá 13 persona që dyshohet se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të qenieve njerëzore.
Sipas Policisë, ky rrjet transnacional ishte i specializuar në rekrutimin, transportimin dhe shfrytëzimin seksual të grave, kryesisht kolumbiane, të cilave u premtoheshin vende pune të rreme në vendet europiane.
Pasi mbërrinin jashtë vendit, ato përfundonin në kushte skllavërie seksuale.
Gjatë hetimit u identifikuan 60 viktima kolumbiane në vende si Shqipëria (44), Kroacia (5), Bahreini (4), Kosova (3) dhe Mali i Zi (4).
Hetimi zbuloi se viktimat detyroheshin të merrnin përsipër një borxh fillestar prej 5.000 eurosh, gjoja për shpenzime pasaporte, bileta udhëtimi dhe akomodim.
Por më pas ky borxh bëhej i pashlyeshëm, pasi shfrytëzuesit ua vidhnin të ardhurat dhe u vendosnin gjoba të vazhdueshme, duke i mbajtur në një gjendje skllavërie dhe kontrolli ekonomik.
Sipas hetimit, u vërtetua se organizata kishte lidhje operative në Greqi, Kroaci, Shqipëri, Kosovë, Maltë, Mal të Zi dhe Bahrein, dhe vepronte përmes rrjeteve të paligjshme që shfrytëzonin cenueshmërinë e grave të reja.
Disa viktima u abuzuan seksualisht pas mbërritjes në destinacionet e tyre, të detyruara të ofronin midis 15 dhe 20 shërbime seksuale në ditë, duke gjeneruar fitime kriminale deri në 5,000 euro për viktimë.
Autoritetet identifikuan udhëheqësin e dyshuar të organizatës, një burrë të njohur si “Lukas”, i cili gjithashtu mban shtetësi malteze dhe vepronte nga Malta me babanë e tij.
Arrestimet u kryen përmes katërmbëdhjetë kontrolleve të banesave, ku u sekuestruan tre armë zjarri, municione, katër kompjutera, 15 telefona celularë dhe dokumentacion, të cilat do të përdoren si prova materiale në hetimet që po zhvillohen kundër kësaj organizate kriminale.
Personat e arrestuar, burra dhe gra në moshën 22 deri në 56 vjeç, u paraqitën para Prokurorisë së Përgjithshme të Shtetit për akuzat e trafikut të qenieve njerëzore, bashkëpunimit për kryerjen e veprave penale të rënda dhe prodhimit, trafikut, mbajtjes apo posedimit të armëve të zjarrit, me qëllim zhvillimin e seancave paraprake dhe që një gjykatës të vendosë për situatën e tyre ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



