KQZ një “bankomat” për klientët e preferuar të Celibashit
Skandal në KQZ: Celibashi i jep miliona Renis Tërshanës dhe Avni Ponarit për tendera sekrete
Publik.al | Investigim
KQZ një “bankomat” për klientët e preferuar të Celibashit
Në qendër të një tjetër skandali financiar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nën drejtimin e Ilirjan Celibashit, po kthehet në një burim të pashtershëm kontratash sekrete dhe tenderash klientelistë që shpërndahen mes të njëjtëve emra: Renis Tërshana, biznesmeni i njohur për lidhje me kontratat dixhitale, dhe Avni Ponari, oligarku i sigurimeve që ka marrë monopolin e mbrojtjes “kibernetike” të zgjedhjeve.
700 milionë lekë për “sigurinë” e votës e siguruar nga oligarkët
KQZ zhvillon pa fund tendera të kushtueshëm, për aplikimin e teknologjisë në votime dhe asnjëhrë nuk ka krijuar besim tek procesi.Tani po bëhet sigurimi këtyre sistemeve. Nëse shkatërrohen nga ndodhi të paparashikueshme ose nga ndonjë sulm nga Irani, nga sot e tutje “përgjigjet” Avni Ponari. Të gjithë e dimë se si i paguan dëmet oligarku i sektorit të sigurimeve! Kompania e tij rrit fitimet dhe ul pagesat për dëmet, megjithëse numri i aksidenteve vjen në rritje. Tani i erdhi radha Ilirjan Celibashit të blejë shërbimet e Avni Ponarit me taksat e shqiptarëve.
Më 17 shtator 2025, KQZ shpalli fituese kompaninë “SIGAL UNIQA Group Austria” të Avni Ponarit për një kontratë me vlerë 68,6 milionë lekë pa TVSH, për të “siguruar” sistemet dixhitale të votimit dhe numërimit.
Tenderi nuk ka pasur nevojë të bëhet, pasi kompanitë e sigurimit funksionojnë së bashku si një kartel dhe cmimet i vendosin me marrëveshje. Në këtë tender ka marrë pjesë “SIGAL UNIQA Group AUSTRIA” sh.a me ofertën 68,615,960 lekë pa TVSH; “INSIG” sh.a, me vlerë 69,659,948 lekë pa tvsh dhe “SIGMA VIENNA INSURANCE GROUP” sh.a, me propozimin 69,664,953 lekë pa tvsh.

Pra, tri oferta si tri pika uji, për të siguruar sistemet e KQZ-së. Pa u futur shumë në detaje, këto oferta mund të mbulojnë vetëm prishjen e ndonjë kamere ose skaneri, por sistemet e teknologisë dixhitale të identifikimit, votimit dhe numërimit kushtojnë shumë. Pra, larg qoftë, nëse këto dalin jashtë loje, këtu nuk hyn vetëm dëmi fizik, por mbi të gjitha pasoja morale dhe politike që sjell keqfunksionimi i procesit të votimit.
Për organizimin e zgjedhjeve 2025, u morën nga KQZ 137 milionë euro, ku pjesa më e madhe u prokuruan për sistemet dixhitale. Vetëm sistemi fundit i investuar në prill 2025 kushtoi 2.3 miliardë lekë ( pa llogaritur kostot e mirëmbajtjes). Më 10 prill, është bërë nënshkrimi i kontratës me objekt “Ngritjen e sistemit për regjistrimin e procesit të numërimit të votave në VNV, VNVJ dhe transmetimit në kohë reale në KQZ”. Njoftimi i marrëveshjes është bërë i ditur më 28 prill 2025 nga Agjencia e Prokurimit Publik. Tenderi ishte “sekret” me negocim pa shpallje paraprake. Për këtë është ndarë fondi limit 150,000,000 lekë pa TVSH, por siç mësojmë vlera e kontratës së firmosur është 176,729,832 lekë të reja përfshirë TVSH.
Në të njëjtin tender morën pjesë edhe INSIG dhe SIGMA Vienna Insurance, me oferta pothuaj identike një provë e qartë se tenderi është fiktiv dhe i paracaktuar.
Por ndërsa në letra flitet për sigurim teknik, në praktikë kemi të bëjmë me një marrëveshje që nuk mbulon as dëmet reale, as përgjegjësitë publike. Çdo dështim teknik, çdo manipulim apo “rënje serveri”, do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, jo nga kompania fituese.
Renis Tërshana, “i preferuari dixhital” i Celibashit
Vetëm disa muaj më herët, në prill 2025, Ilirjan Celibashi i dha kompanisë R&T Sh.p.k. të Renis Tërshanës një seri kontratash të njëpasnjëshme që kapin mbi 260 milionë lekë të gjitha me procedura sekrete dhe pa shpallje paraprake.
- 10 prill 2025 – “Ngritja e sistemit për regjistrimin dhe transmetimin në kohë reale të procesit të numërimit të votave”.
176,7 milionë lekë me TVSH. - 11 prill 2025 – “Shërbime TIK Live Vote 2025 brenda dhe jashtë vendit”.
26 milionë lekë me TVSH. - 14 prill 2025 – “Shërbime të sigurisë kibernetike”.
19,6 milionë lekë me TVSH.
Në total, mbi 220 milionë lekë për një kompani që prej vitesh njihet për lidhjet e saj me tendera publikë dhe platforma dixhitale të institucioneve shtetërore.
Dhe sërish, pa garë, pa transparencë, pa përgjegjësi.
Teknologjia që “nuk funksionon” por kushton miliona
Zgjedhjet e pjesshme të 2025-ës, të shpallura për 6 bashki, do të kushtonë 3 mln euro shumica për sistemet dixhitale që, sipas ekspertëve, janë të tejfryra dhe me vlerë reale shumë më të ulët.
Sistemi i numërimit elektronik, identifikimit biometrik dhe transmetimit të të dhënave është financuar me shifra marramendëse, por rezultatet janë minimale: vonesa, defekte dhe mosbesim publik.
Nëse këto sisteme bien, sipas kontratës, nuk mban përgjegjësi as KQZ, as operatorët teknikë.
Tani, Celibashi ka vendosur që përgjegjësia “formale” t’i kalojë Avni Ponarit, përmes një sigurimi që në praktikë nuk siguron asgjë.
Modeli i tenderëve sekrete për klientët
Kjo është skema e re e “bashkëpunimit” publik-privat në KQZ:
- Tender sekret pa shpallje paraprake.
- Fitues i paracaktuar (Tërshana, Ponari, apo kompani të lidhura).
- Kontrata të mbingarkuara me kostot e mirëmbajtjes.
- Zero transparencë publike dhe mungesë e çdo raportimi në APP.
- Taksapaguesit paguajnë dyfish – një herë për investimin dhe një herë për “sigurimin”.
Në fund, përveç teknologjisë që nuk garanton zgjedhje të ndershme, kemi një tjetër fitues të qartë: rrjeti klientelist i Celibashit.
Nëse dikush kërkon të kuptojë pse zgjedhjet shqiptare mbeten nën hijen e dyshimeve, mjafton të ndjekë zinxhirin e parave: nga KQZ te Renis Tërshana, e nga Tërshana te Avni Ponari.
Kjo është mënyra se si kontrollohet vota dixhitale, si blihet “siguria” zgjedhore dhe si kthehet procesi elektoral në biznes privat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



