Skena dhe prapaskena
Qeveria “shpërblen” opozitën dhe KQZ-në
Kush thotë që qeveria nuk bashkëpunon me opozitën?! Po nëse qeveria ka fituar zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, a nuk duhet të “shpërblehet” edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve?
Në mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, kryetari i së cilës është vetë kryeministri, është diskutuar edhe një leje për fshat turistik në Himarë.
Emrat e zhvilluesve janë as më pak e as më shumë po kreu i KQZ-së Ilirian Celibashi dhe bashkëshortja e tij, Ardiana Mediu. Gjithashtu, pjesë e fshatit do të jetë edhe kompania “Beauty International”, me aksionerë Samela dhe Even Mediu, dy fëmijët e deputetit Fatmir Mediu.

Dokumenti i lejes së ndërtimit për fshatin turistik në Himarë
Në dokumentet e KKTU-së shkruhet se ka pasur disa ndryshime në projekt gjatë ndërtimit të objekteve “struktura banimi individuale 1, 2 kat mbi tokë dhe 1 kat nëntokë me mur rrethues”.
Nisur edhe nga leja, fshati duket se do të jetë për VIP-at, pasi zhvillues do të jenë edhe disa biznesmenë apo noterë. Mes emrave që po ndërtojnë fshatin figuron edhe Astrit Kamberi, Dritan Shehu, Artan Nito, Lindita Nito, Sonila Xukthi, Arlind Nito dhe Kledion Nito.
Kohët e fundit, politikanët e biznesmenët e mëdhenj kanë braktisur zonën e Qerretit dhe Gjirit të Lalzit, duke ndërtuar e blerë vila individuale në bregdetin e Jugut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



