Vrasja e gjyqtarit, familja Shkambi reagon pas kërcënimeve të rënda
Pas arrestimit të Gjovalin Shkambit, xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Elvis Shkambi, ka ardhur edhe reagimi i familjes së të ndaluarve. Në një deklaratë publike, familjarët kanë kërkuar mirëkuptim për situatën e rënduar emocionale në të cilën ndodhen dhe kanë bërë thirrje për respektim të procesit ligjor.
Familja thekson se distancohet nga çdo formë dhune dhe gjuhë urrejtjeje, duke nënvizuar se drejtësia duhet të bëjë punën e saj pa ndërhyrje dhe pa presione publike.
Reagimi i familjes vjen pas deklaratës së fortë të Gjovalin Shkambit, i cili kërcënoi se do të kishte “sërish vrasje në drejtësi” nëse nipi i tij, Elvis Shkambi, do të dënohej. Elvis Shkambi ndodhet aktualisht në paraburgim, bashkë me xhaxhanë tjetër, Gjon Shkambi, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në vitin 2011.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet janë të angazhuara për të zbardhur plotësisht motivet dhe rolet e përfshira në ngjarje.
Reagimi:
Pavarësisht se drejtësia deri më tani nuk ka arritur ende të vendosë pikën përfundimtare mbi këtë çështje, ne nuk duam në asnjë mënyrë të përdorim gjuhë urrejtjeje ndaj personave që ushtrojnë detyrën e tyre dhe respektojmë proceset ligjore që po zhvillohen.
Jemi plotësisht të vetëdijshëm se kërcënimet nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë, por kërkojmë mirëkuptim për gjendjen e rënduar emocionale dhe psikologjike në të cilën ndodhej babai ynë në ato momente.
Ne si familjarë e kuptojmë plotësisht madhësinë dhe ndjeshmërinë e kësaj ngjarjeje, por kërkojmë me mirëkuptim që mediat të shmangin sa më shumë përfshirjen në jetën tonë familjare, pasi babai jone është marrë në pyetje dhe është publikuar në momente jashtëzakonisht të vështira dhe në gjendje të rënduar psikologjike.
Urojmë që drejtësia dhe qetësia të mbizotërojnë, dhe Zoti të bëjë atë që është më e mira për të gjithë!
Me respekt,
Familja e Gjovalin Shkambi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



