4 vite burg për ata që mbështesin vrasësin e gjyqtarit Kalaja
Neni i ri
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit në Shkodër tronditi opinionin publik dhe sistemin e drejtësisë, por jo të gjithë.
Në rrjetet sociale, ngjarja u pasua nga një valë e gjerë reagimesh absurde, ku shumë përdorues justifikonin autorin e krimit, duke e paraqitur si “viktimë të sistemit”.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti shumëvjeçar pronësie mes familjes Shkambi dhe disa familjeve të tjera në Shkodër. Por pas ekzekutimit, rrjetet shpërthyen me komente që e përkrahnin veprimin kriminal, me argumentin se “sistemi gjyqësor është i korruptuar” dhe “nuk jep drejtësi për qytetarët e zakonshëm”.
Në disa raste, mbështetja mori edhe formë konkrete. Në platformën GoFundMe u hap një faqe për mbledhje fondesh në ndihmë të avokatit të autorit të vrasjes, ku u grumbulluan rreth 14 mijë dollarë, përpara se faqja të mbyllej nga vetë platforma.
Kjo prirje shqetësuese e mbështetjes ndaj krimit është bërë objekt reflektimi edhe në nivel institucional. Në draftin e ri të Kodit Penal, i cili ndodhet në fazë konsultimi publik, është përfshirë një nen i posaçëm që synon të ndëshkojë këtë sjellje.
Neni i ri, Neni 409 (Mbështetja e kryerjes së një krimi), të parashikuar në draft, çdo person që “mbështet autorin e krimit për veprën që ka kryer, duke e lartësuar publikisht veprimin e tij” apo e paraqet si “zgjidhje të pranueshme të situatës”, do të dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
Nëse kjo mbështetje bëhet nëpërmjet mediave ose rrjeteve sociale, dënimi parashikohet të jetë edhe më i ashpër.
Ky ndryshim ligjor synon të frenojë përhapjen e normalizimit të dhunës dhe të vendosë përgjegjësi për ata që, në vend që të dënojnë aktet kriminale, zgjedhin t’i legjitimojnë publikisht ato.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



