Pse zgjedhjet në Kosovë janë më të mira se në Shqipëri?
Faktet
Në një analizë të fundit, juristi dhe opinionisti Kreshnik Spahiu krahason zgjedhjet lokale në Kosovë me ato në Shqipëri, duke nxjerrë në pah pesë dallime thelbësore që tregojnë për një kontrast të madh demokratik mes dy vendeve.
Sipas Spahiut, zgjedhjet komunale në Kosovë, edhe pse të ndikuara nga kriza politike, përfaqësojnë një garë të hapur, pluraliste dhe me rregulla të qarta që favorizojnë përfaqësimin real të qytetarëve. Nga ana tjetër, ai e përshkruan sistemin zgjedhor në Shqipëri si të mbyllur, të paracaktuar dhe të dominuar nga dy partitë e mëdha, ku pjesëmarrja e ulët dhe mungesa e alternativave e kanë shndërruar votimin në një formalitet.
Me shembuj konkretë si sistemi i balotazhit, pjesëmarrja e diasporës, hapësira për partitë e vogla dhe sjellja e votuesve, Spahiu argumenton se Kosova ofron një model më demokratik dhe më të paparashikueshëm zgjedhor sesa Shqipëria, e cila, sipas tij, ka rënë në një apati politike dhe zgjedhore.
“Dje, Kosova votoi për zgjedhjet e pushtetit lokal ose siç përcaktohet në Kushtetutën e Kosovës, për 38 komuna.
Zgjedhjet komunale u paramenduan si çelësi i zgjidhjes së krizës politike, në varësi kjo të rezultatit që do të arrinte VV apo opozita.
Kjo mund t’i paraprinte zgjedhjeve të parakohshme për ta nxjerr Kosovën nga paraliza historike e një jete parlamentare e cila ka 9 muaj nuk funksionon.
Raundi i parë tregoi se nuk ka fitues të qartë, por ja pesë mënyrat se si zgjedhjet lokale në Kosovë ndryshojnë nga ato në Shqipëri:
1. Sistemi i balotazhit
Kosova ka sistem balotazhi: askush nuk shpallet fitues nëse nuk kalon 50% + 1 votë.
Për këtë arsye, shumica e komunave do të zhvillojnë raundin e dytë.
Në Shqipëri, mjafton që kandidati i parë të ketë një votë më shumë se tjetri për t’u shpallur fitues. Teorikisht në Shqipëri mund të ndodhë që nëse garojnë 10 kandidatë, fituesi mund të shpallet edhe me 11% të votave mjafton të jetë i pari mbi të tjerët që marrin poshtë 10%.
2. Pluralizmi politik
Kosova ka një pluralizëm politik shumë më të gjerë se Shqipëria.
Rezultatet e para tregojnë një shpërndarje të madhe të votave:
• LVV – 3 komuna
• LDK – 3 komuna
• PDK – 2 komuna
• AAK – 1 komunë
• Nisma – 1 komunë
• Lista Serbe – 8 komuna
Ndërsa në Shqipëri, prej 35 vitesh gara politike është e mbyllur mes PS dhe PD, pa asnjë fitues tjetër të rëndësishëm.
3. Fati i partive të reja
Në Kosovë, partitë e reja guxojnë të garojnë me kandidatët e tyre, pavarësisht rezultatit.
Në Shqipëri, rreth 30 parti të vogla shkrihen ose bashkohen me PD-në, duke humbur identitetin politik.
Mosgarimi në zgjedhjet lokale i privon ato nga mundësia për të thyer establishmentin, qoftë edhe në zona të vogla apo periferike.
4. Vota e diasporës
Në Kosovë, emigrantët votojnë edhe në zgjedhjet lokale; ndërsa në Shqipëri, 1.8 milion shtetas jetojnë jashtë vendit pa të drejtë vote.
Në disa komuna si Malishevë, Junik, Gjakovë dhe Dragash, vota e diasporës pritet të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar.
5. Sjellja ndryshe në zgjedhje lokale dhe qendrore
Në Kosovë, qytetarët shpesh votojnë ndryshe për qeveri dhe ndryshe për komunë.
Në Shqipëri, ndodh e kundërta: kush fiton qeverinë, zakonisht fiton edhe bashkitë.
Për këtë arsye, në Shqipëri dihet paraprakisht kush do të fitojë në Tiranë, Durrës, Berat, Vlorë, Fier apo Gjirokastër për shumë vite me radhë.
Kosova mbetet më pluraliste dhe më e paparashikueshme politikisht krahasuar me sistemin dy partiak të Shqipërisë.
Ndërsa në Shqipëri, zgjedhjet janë shndërruar në një garë të mbyllur, ku pjesëmarrja e ulët e votuesve është pasojë e një fati të paracaktuar politik.
Mos u çudisni nëse në zgjedhjet e ardhshme të Tiranës marrin pjesë vetëm 25% e votuesve sepse populli nuk ka interes për një garë ku dihet paraprakisht kush do të fitojë,” shkruan Kreshnik Spahiu.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



