VIDEO/ Pediatria e Lushnjës, si qeli burgu me kushte të tmerrshme
Nëse ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, do t’i jepej mundësia t’i përjetonte edhe pesë minuta në repartin e pediatrisë së Lushnjës, ndoshta do të kuptonte më mirë realitetin e fëmijëve shqiptarë në vitin 2025. Ky repart, që duhet të jetë një vend shërbimi dhe përkujdesjeje, nuk ka asnjë shenjë të kushteve që i takojnë një institucioni shëndetësor. Muret janë të zverdhura, krevate të brishta dhe të ndryshkura, ndërsa dyshekët janë thjesht sfungjerë të hollë që mezi mbajnë peshën mbi shtratin e hekurt.
Në disa dhoma, situata është akoma më e rënduar, ku as sfungjerë nuk ka. Vetëm dritë dielli dhe një kaldajë që as nuk dihet se kur ka ndaluar së punuari. Kjo është pamja e fëmijëve që duhet të shërohen, por që janë të detyruar të luftojnë edhe me kushte të papranueshme.
Në të njëjtën kohë, ministrja Sala, nga zyrat e saj luksoze në Tiranë, vazhdon të flasë për “investime” dhe “strategji” të reja për përmirësimin e shëndetësisë. Po, këto janë fjalë që shpesh dëgjohen, por që në terren janë të paprekura. Sala e di mirë që fëmijët e Lushnjës nuk kërkojnë as luks, as dhoma private me televizorë të sheshtë. Ata kërkojnë thjesht një krevat normal, një dyshek që nuk dëmton shpinën dhe një ambient që nuk shton vuajtjet e mëtejshme. Ata kërkojnë kushte të sigurta dhe të pranueshme, ku t’i shërbehet shëndetit të tyre.
Nëse ministrja do të kalonte vetëm pak kohë në këtë repart, do të përballej me realitetin që nuk mund ta fshehë dot më asnjë konferencë për shtyp. Në një vend si Shqipëria, kur një fëmijë trajtohet në kushte të tilla, nuk është thjesht një çështje buxheti, por një mungesë e turpit dhe e ndjeshmërisë. Ky është një skandal që shkon përtej mungesës së fondeve, sepse është një shpërfillje për dinjitetin njerëzor.
Duket se Sala ka zgjedhur të ndjekë rrugën e shoqeve të saj paraardhëse dhe të përfshihet në një politikë që lë pas një shëndetësi të shkatërruar dhe një popull të shpërfillur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



