Prokuroria, raportimet u bënë, tani të bëjmë luftën
Basir Çollaku | Opinion | Publik.al
Raportimet e djeshme në komisionet e Kuvendit për drejtësinë, të mbushura me shifra, statistika, pyetje, përgjigje, sekëlldi të shumta, dashuri mazhorance apo dyshime të pathelluara opozitare, nuk sollën një hartë optimiste për qytetarët, të pushtuar nga shërbimi sakat i ligjit. Në krye të tryezës së Komisionit qëndronin dy ish ministra drejtësie Ulsi Mania dhe Fatmir Xhafa. Ky i fundit edhe ministër i brendshëm. Të dy me një histori dosjesh sa personale aq edhe familjare. Të dy të përkëdhelur nga hetimi, ku nuk përjashtohet Struktura e Posaçme, për shkak të peshës ndikuese e të dëmshme në formatimin e institucioneve gjoja të reja të drejtësisë.
Mania i përmendur gjatë e shpesh te dosja e krimit elektoral 184, zgjedhjeve të pjeshme në Dibër, në 2016-tën, laboratori i krimeve zgjedhore, tjetri Xhafa, me një vëlla, Geronin Agronin, të dënuar për trafik ndërkombëtar droge me 7,2 vite burg. Por i livadhisur lirshëm nëpër Shqipqëri, sepse ministri vëlla dinte të qepte shtigjet e rehatisë dhe ekonomisë. Kishte edhe të tjerë deputetë, për të cilët prokurorët po hetojnë prej muajsh e madje vitesh. Ndaj të dy palët kishin hapësirë delikate të shtireshin tërhiq e mos lësho, sikur po u falnin ca mëkate spektakli njëri-tjetrit, për të mbyllur me erz seancën maratonë.
U fol për zgjatje mandatesh atyre prokurorëve, kur së shpejti u përfundon afati kohës në detyrë. E kanë të drejtë profesionale e humane të dinë e të sigurohen, se ku do të jenë pas përballjes me pushtetin e krimin pas disa kohe si të “papunë”?! Të gjithë bashkë mbronin gjyqtare Irenën, ose sopatën e Edi Ramës në Gjykatë, ndonëse ligjshkeljet e vepra e konsumuar prej saj duhet të kishte marrë hetim e dënim. Ky unitet i brendshëm ishte frikë dhe pafuqi e SPAK dhe gjithë prokurorisë. Presidenti arriti të gjejë një punë për një çapë bukë, në një spital privat. Ky roje i Kushtetutës kthehet në roje nate.
Trashja e Kodit të ri Penal me 900 nene, një çorbë autokratike e qeverisë, ku prokurorë e gjyqtraë do ta kenë përditshmëri, por as janë pyetur, e as janë dakort, do të sjellë një përmbysje tjetër të sistemit në dëm të drejtësisë, duke e dreqopsur në çdo germë. Për beteja të fituara apo për një luftë të humbur! Në një vend ku Krimi i Organizuar dhe mafia e rrisin ndikimin e kontrollin mbi territor, ata ia kanë marrë këtë parcelë pushtetit.
Disa pyetje janë:
E kanë pasur të trashëguar? E kanë zaptuar forcërisht? E kanë blerë? Kanë investuar? Kanë rënë dakort? Kanë ujdi ndarjeje? Janë aksionerë? Kemi më pak korrupsion sot? Kemi më pak grupe kriminale? Kemi më pak pastrim parash? Kemi më pak të inkriminuar në administratë, bashki, Kuvend, drejtësi, institucione? Kemi më pak politizim të krimit dhe kriminalizim të ekonomisë? Minsitra e deputetë janë në hetim. Kryeministri përmendet në shumë dosje vendase e të huaja. Partnerët kanë rritur alarmin për krimin shqiptar me mbështetje pushteti, të shndërruar në fuqi narkotike. Mediet amerikane, britanike dhe evropiane, e ofrojnë kryeministrin shqiptar
Edi Rama, kreun e një qeverie, si një garues mes Maduros e Noriegës, për të marrë kurorën e narkoshtetit global. Antimafia itlaliane konfirmon njëlloj qëndrimin. Raportet e DEA, DIA, CIA, Europol, Eurojust, na rendisin në krye të faqeve. Aeroporti i Durrësit konkuron me Antverp të Belgjikës, për qarkullim ngarkesash kokaine nga Amerika Latine. Miliardat nga kokainë janë në kulla shumëkatëshe e resorte në bregdet. Qiellgërvishtësit e Shqipërisë, apo luksozet e detit, kanë në fasadë emrin e një dosje, e të një bande nga Dubai. Londra, Medelini, Ekuadori, Meksika, Ndranghetta, Sinaloa, Holanda, Belgjika, Sacra Corosna, Britania, Camorra, e mjaft adresa të tjera. Sekuestrimet shkonin nga 65 në 165 milionë euro.
Ndërsa shifra e pathënë, por e dalë nga dosjet e prokurorisë e të partnerëve është 10 apo 15 e ndoshta 20 miliardë euro. Me kaq gudulisje ndoshta edhe bandat, të cilat marrin leje buësisht për investime të rama do të ishin dakort për kurbane qetësie. Rrofshin raportimet, këto ushqime opinionesh, për të cilat nuk ka lugë ti kapërdijë në stomak. Raportet u bënë, tani të bëjmë luftën..
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



